Opozita, kritika qeverisë për menaxhimin me virusin

18.02.2021 18:01

Në vend po ndodh katastrofë humanitare....

Në vend po ndodh katastrofë humanitare, pasi nga Covid-19 po ndodh vdekshmëria më e lartë në histori, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE. Për këtë janë përgjegjës, Zoran Zaev, Venko Filipçe dhe e tërë qeveria, theksoI Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

“Për fat të keq me Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen Maqedonia e ka tejkaluar zyrtarisht numrin prej 3 mijë të vdekur. Ky është numër i tmerrshëm numër katastrofal dhe këto nuk janë vetëm numra por fate njerëzish.”,- tha Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-DPMNE-së vendi është në pozitë më të keqe në Ballkan, Evropë dhe botë kur bëhet fjalë për vdekshmërinë nga Covid-19. Ndërkohë të rinjtë e koalicionit ASH-Alternativa kanë ironizuar me kryeministrin, Zoran Zaev, duke i dërguar simbolikisht dy pako vaksinash. Kryeministër, po t’i japim dy pako me vaksina, që të mos u tallesh me qytetarët kanë ironizuar të rinjtë nga ky koalicion.

“Jemi sot këtu që edhe në këtë mënyrë t’ua demonstrojmë se si duket kujdesi, më saktë pakujdesia, që e shfaq kjo qeveri ndaj shëndetit të qytetarëve të saj. Le që për ne nuk është sinjal fare i mirë që Serbia të tallet me shtetin tonë me një kuti vaksinash, kjo vetëm për fajin e një qeverie inferior e të paaftë. Nëse një kuti vaksina është donacion, ne po ia japim kësaj qeverie dy kuti dhe ta mbyllim këtë punë.”,- theksoi Afan Elezi nga ASH-AAA.

Zaev: Vaksinat kineze arrijnë deri në fund të muajit

Ndërkohë kryeministri, Zoran Zaev, pret që deri në fund të muajit të arrijnë në Shkup, vaksinat kineze.

“Vaksinat kineze i presim deri kah fundi i muajit, këtyre ditëve do të kemi një intensitet të shtuar për të përmbushur kushtet që deri në fund të muajit të mund të arrijnë vaksinat. Pagesa nga ana e qeverisë është kryer.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Këtyre ditëve do të kemi një intensitet të shtuar për të përmbushur kushtet, theksoi kryeministri. (Naim Ramadani, TVM2)