Demiri: 54 mijë të papunë nuk janë paraqitur në Agjenci
Rreth 54 mijë persona janë vonuar...

Rreth 54 mijë persona janë vonuar për t’u paraqitur në evidencë si kërkues aktivë të punës dhe persona të tjerë të cilët kërkojnë punë, përkatësisht kërkues pasivë të punës pranë Agjencisë për Punësim.
Drejtori i kësaj Agjencie, Abdush Demiri, theksoi se nëse në 30 ditët e ardhshme nuk paraqiten këta persona, atëherë do të shlyhen nga evidenca e të papunësuarve.
“Publikisht u bëjmë thirrje të gjithë atyre personave të cilët i tejkaluan afatet për paraqitje në evidencën e Agjencisë për Punësim, në 30 ditët në vijim, duke filluar prej nesër, të vijnë në qendrat për punësim ku janë të evidentuar për ta rregulluar obligimin e tyre, si kërkues aktivë apo pasivë të punës. Ju kujtojmë që sipas ligjit të sigurimit në rast të papunësisë, person i cili është i evidentuar si punëkërkues aktiv është i detyruar të paraqitet personalisht në Agjencinë e Punësimit çdo 30 ditë dhe person i evidentuar si punëkërkues pasiv të paraqitet çdo 6 muaj, në të kundërt Agjencia e Punësimit do të detyrohet t’i fshijë këta persona nga evidenca, me çka i humbin të drejtat që kanë nga statusi që gëzojnë.”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Punësim, Abdush Demiri.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se sa persona mbetën pa punë prej fillimit të pandemisë me Kovid-19, Demiri tha se deri më 31 janar 2021, janë evidentuar 18.174 persona të papunë për të cilët çregjistrimi nga sigurimi i detyrueshëm social është regjistruar në periudhë pas 11 marsit të vitit 2020, përkatësisht në periudhë të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Ai informoi se në Agjencinë për Punësim deri më 31 janar 2021 janë evidentuar gjithsej 158.681 persona të papunë si kërkues aktivë të punës, ndërsa kërkues pasivë të punës ishin 90.293 persona. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
