Ende pa vendim të qartë për prishjen e bllokut
Vazhdojnë fërkimet mes partive politike në Kosovë në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për ngërçin postzgjedhor.....

Situata politike mund të shënojë kthesë nëse partia e dytë më e madhe pas zgjedhjeve të qershorit ndryshon qëndrim.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, po diskuton rreth vazhdimit ose jo të koalicionit paszgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën. Sipas deklaratave të mëhershme nga zyrtarë të lartë të kësaj partie, vazhdimi i koalicionit paszgjedhor do të jetë ngushtë i lidhur me postin e kryeministrit. LDK-ja kërkon që ky post t'i takojë kësaj partie, përkatësisht liderit të saj, Isa Mustafës.
Mediat lokale, të bazuara në burime anonime, raportojnë se anëtarët e Këshillit të LDK-së do të vendosin nëse duhet kjo parti të mbetet në LVAN. Ata do të vazhdojnë të kërkojnë nga i nominuari i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, i AAK-së, që të tërhiqet dhe që i nominuar për kryeministër të jetë Isa Mustafa i LDK-së. Nëse AAK-ja nuk lëshon pe në këtë marrëveshje, atëherë LDK-ja do të fillojë bisedimet për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por nëse do ta kenë postin e kryeministrit.
Koalicionet pritet të merren vesh nesër, pas fërkimeve në bllokun VLAN dhe mundësisë për prishjen e marrëveshjes. Më herët, prishja e marrëveshjes së 10 qershorit në mes të partive të Bllokut VLAN, në të cilën parashihet që i pari i AAK-së të udhëheq me qeverinë e Kosovës, do të jetë “boomerang” për LDK-në, ka deklaruar nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi. Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do ta paguaj çmimin për prishje të njëanshme të marrëveshjes dhe këtë ndëshkim, sipas tij, do ta merr nga elektorati dhe politika.
Ndërkaq, sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, i ka quajtur “të pangopur” për poste Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
