Botë
Llojet e reja të virusit rrisin numrin e të infektuarve me Kovid-19
20.02.2021 14:54
Vendet e Evropës Qendrore kanë paralajmëruar për një rritje të personave të prekur nga COVID-19...

Vendet e Evropës Qendrore kanë paralajmëruar për një rritje të personave të prekur nga COVID-19 për shkak të zbulimit të varianteve të reja të virusit.
Të premten u njoftuan kufizime të reja në Pragë, ndërsa numri i pacientëve COVID-19 në Sllovaki ka arritur një rekord të ri. Qeveria e Republikës Çeke vendosi masa shtrënguese pasi numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensive këtë jav arriti në shifra rekord në mbi 1,200 pacient.
Tre qarqet më të goditura, në kufirin me Gjermaninë dhe Poloninë, janë nën një bllokim të plotë. Në Hungari, ku një rënie e qëndrueshme e infeksioneve të përditshme dhe vdekjeve nga dhjetori ndryshoi rrjedhën në fillim të këtij muaji, tani ekziston frika e një rritje të re edhe kur vendi filloi të marrë dërgesat e vaksinave ruse dhe kineze.
Ndërkohë Sllovakia u bë vendi me më shumë vdekje nga COVID-19 për nga madhësia e popullsisë në botë mes një rritjeje të variantit britanik. Numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Sllovakisë arriti një rekord të ri të lartë prej 3,900 të enjten, një situatë që i ka shtyrë udhëheqësit të apelojnë për ndihmë nga jashtë.
Ndërkohë Rusia miratoi edhe vaksinën e tretë anti Kovid, ndërsa paralajmërohet se në mes të marsit do të shpërndahen 120,000 dozat e para. Rusia tashmë ka aprovuar dy vaksina përfshi Sputnik V. Miratimet paraprake të vaksinave ruse kanë ngritur shqetësimin e shkencëtarëve në Perëndim.
Sputnik V u miratua në gusht dhe provat e fazës së tretë filluan në shtator. Vaksinimi masiv filloi në dhjetor, pasi rezultatet paraprake të provave treguan se vaksina ishte 91,4 % efektive.
Në SHBA stuhia e dimrit kanë çuar në vonesa mbarëkombëtare për shpërndarjen e 6 milionë dozave të vaksinave anti COVID në 50 shtetet e SHBA-ve duke ngadalësuar kështu kohën e vaksinimit në komunitetet në të gjithë vendin, njoftojnë nga Shtëpia e Bardhë.
Derisa bota po lufton me virusin korona, shifrat flasin për rritje të personave të infektuar në rreth 111 milion njerëz, ndërsa virusi u ka kushtuar me jetë mbi
2 milion e 454 mijë personave.
REJHANE BUSHI METAJ
