Maqedoni
Filipçe: 50% e të infektuarve nga lloji britanik. Janë vaksinuar 760 punëtorë shëndetësorë
20.02.2021 15:18
Ditëve të fundit në vend vërehet një rritje e lehtë e Kovid pacientëve në trajtim spitalor...

Ditëve të fundit në vend vërehet një rritje e lehtë e Kovid pacientëve në trajtim spitalor, bën të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas tij, në dy ditët e fundit rreth 50% e të infektuarve në vend janë nga lloji i virusit britanik.
“Është evidente në periudhën e kaluar rritja e përqindjes së pacientëve te të cilët është detektual varianti i llojit britanik të virusit nga rreth 20%, në dy ditët e fundit rezultatet flasin për rritje deri në 50% nga numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve. Në këtë drejtim në Prilep dhe Ohër ka pasur rritje të lehtë të rasteve që u nevojitet trajtim spitalor, diçka më shumë në spitalin e Kavadarit. Spitali në Kavadar tani është në nivel të njëjtë me muajin dhjetor kur presioni ishte më i lartë. Po e analizojmë edhe gjendjen në tërë vendin. Dhe kur e bëjmë këtë analizë, kemi rritje të lehtë të numrit të personave në trajtim spitalor, në krahasim me muajin e kaluar, për rreth 60 persona gjithsej nga 590 në rreth 650 pacientë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Por, tani për tani nuk parashihen masa të reja restriktive, thotë ministri pasi rritja e numrit të personave të infektuar në Kavadar lidhet me disa ngjarje ku ka pasur tubime të njerëzve pa u respektuar masat mbrojtëse. Njëherit ministri bëri të ditur se nga fillimi i vaksinimit anti Kovid deri tani janë vaksinuar rreth 760 mjekë dhe infermiere nga Kovid qendrat. Sipas tij, të gjithë të vaksinuarit kanë kaluar me simptoma të lehta.
“Deri tani janë vaksinuar rreth 760 punëtorë shëndetësorë. Është vendosur që me sasinë e vaksinave aktuale vaksinimi të realizohet vetëm në punktin në spitalin modular në Shkup në afërsi të klinikës infektive. Por, kanë filluar edhe institucionet tjera, dje ishin për vaksinim punëtorët shëndetësor nga Kavadari dhe Prilepi.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Të dielën e kaluar nga Serbia arritën 4 mijë e 680 dozat e para të vaksinave anti Kovid - prodhim i kompanisë “Pfajzer”, ndërsa gjatë javës së ardhshëm pritet të arrijë edhe sasia tjetër e donacionit të paralajmëruar prej 8 mijë vaksinash.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se deri në fund të muajit shkurt pritet të arrijnë 200 mijë vaksinave nga Kina. Po ashtu, sipas autoriteteve, nëpërmjet sistemit KOVAKS janë siguruar 833 mijë doza të vaksinave. Por dërgesa e parë me vaksinën “AstraZeneka”, nëpërmjet këtij sistemi është planifikuar të arrijë në muajin mars.
GYLTENE SINANI
