Maqedoni

Gir: BE nuk lejon përkatësinë etnike në letërnjoftime

20.02.2021 18:19

Euroambasadori, Dejvid Gir, përsërit qëndrimin se rregullativa e përgjithshme e BE-së...

Euroambasadori, Dejvid Gir, përsërit qëndrimin se rregullativa e përgjithshme e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale që hyn në fuqi në gusht të këtij viti definon se përkatësia etnike, fetare dhe të ngjashme, janë të ndaluara të evidentohen në letërnjoftime.
 
Maqedonia e Veriut, si vend që pretendon anëtarësimin në BE, do të duhet të harmonizojë ligjet me ato evropiane, thotë ambasadori.
 
“Për zgjidhjen ligjore relevante, më duhet të them se kjo bie në pjesën e mbrojtjes së të dhënave të përgjithshme dhe është shumë e rëndësishme në procesuimin e atyre informacioneve në BE, që përfshin përkatësinë etnike dhe fetare ose elementet e tjera, për momentin në BE, janë të ndaluara. Për momentin në BE kjo çështje rregullohet nga vet shtetet por nga gushti i vitit 2021 pritet dirrektivë e këtillë të miratohet në nivel të BE-së dhe të vlejë për të gjitha vendet anëtare.”,- deklaroi ambasasori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.
 
Zaev: Aktualisht këtë çështje e rregullojnë vet shtetet
 
Edhe kryeministri Zoran Zaev thotë se si vend pretendent për tu anëtarësuar në BE ligjet tona duhet të ju përshtaten atyre të BE-së, por ai thekson se aktualisht BE-ja këtë çështje ia lë rregullativës vendore.
 
“Si vend kandidat për anëtarësim në BE është imperative harmonizimi i ligjeve vendore me rregullativën evropiane. Kështu që në gusht, tetor, kurdo që BE të debatojë për këtë çështje, ne do të përfshihemi dhe gjithsesi në fund do t’i ndjekim të gjitha vendimet dhe rregullativat e BE-së, pasi dëshirojmë të jemi pjesë e BE-së, ashtu që debati do të jetë i hapur dhe në konsultim dhe koordinim me delegacionin evropian në Shkup dhe Komisionin Evropian në Bruksel, do t’i sjellim vendimet e këtilla varësisht në çfarë drejtimi do të sillen vendimet në nivel të BE-së.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Mickovski: Zaev po ndërton komb të RMV-së
 
Kreu i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, shprehet i gatshëm që partia e tij të mbështes ligjin nëse u pranohet amendamenti që në letërnjoftime të mbetet emri Republika e Maqedonisë e jo Republika e Maqedonisë së Veriut. Mickovski njëherit thekson se Zaev po krijon komb të qytetarëve të Maqedonisë së veriut. 
 
“Ne nuk do të kemi në letërnjoftime maqedonas, përkatësisht ne që vet identifikohemi si maqedonas si pjesë e popullit maqedonas, sepse këtë e ka shlyer, Zoran Zaev, dhe kjo është fakt. Zoran Zaev po krijon komb të ri që duhet të jetë maqedonase qytetarë i shtetit me parashtesën e re.”,- theksoi Hristian Mickovski nga VMRO-DPMNE.
 
Ligji për letërnjoftime është propozuar nga Lëvizja BESA, është bllokuar me 1000 amendamentet e dorëzuara nga partia “E Majta”. Kundër përkatësisë etnike në letërnjoftime është shprehur edhe presidenti, Stevo Pendarovski. 
 
GYLTENE SINANI