Serbi, arrinë vaksina e Astrazenecas
Kontingjenti i parë i 150 mijë dozave...

Kontingjenti i parë i 150 mijë dozave të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, ka arritur në mëngjesin e së dielës në Serbi.
Prsidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet trepalëshe në mes të Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë, andaj në aeroport janë parë edhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Serbi, Sian McLeod dhe Vijay Kumar.
Ambasadorja britanike, Sian McLeod, ka thënë se është e lumtur që sheh arritjen e vaksinave të kompanisë AstraZeneca në këtë shtet.
“Vaksinimi i botës do të thotë punë globale. Unë pres që këto vaksina të jenë në dispozicion në gjithë botën së shpejti,” është shprehur ajo.
Vijay Kumar nga ambasada e Indisë, ka thënë se Serbia është vendi i parë në rajon që siguron këto vaksina të prodhuara në Indi.
Vuçiq ka njoftuar se Serbia pritet të sigurojë edhe vaksinat tjera kundër koronavirusit, përmes mekanizimit ndërkombëtar COVAX, në fund të marsit ose fillim të prillit. Pas dërgesës të së dielës, Serbia konsiderohet një nga vendet e pakta në botë, ku qytetarët e saj do të jenë në gjendje të zgjedhin midis katër vaksinave të ndryshme kundër koronavirusit.
Ky shtet deri më tani ka siguruar vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, atë ruse, Sputnik V, kineze Sinopharm dhe tani vaksinën e kompanisë AstraZeneca.
Kjo e fundit është miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të janarit.
