Trajanovski viziton Sarajin

20.11.2014 17:41

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, së bashku me drejtorët e ndërmarrjeve publike që funksionojnë në kuadër të Qytetit të Shkupit, realizuan një takim në Komunën e Sarajit, për të parë funksionimin e ndërmarrjeve në këtë komunë.......

Bashkëpunimi me Komunën e Sarajit është në nivel dhe si fryt i këtij bashkëpunimi janë realizuar shumë projekte, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm priten të realizohen edhe projekte të tjera, deklaroi pas takimit kryetari i Shkupit, Trajanovski dhe ai i Sarajit, Bekim Murati.

“Nga viti 2009, së bashku me Komunën e Sarajit kemi realizuar shumë projekte. Rruga Rahçe-Kopanicë, rruga në Sfillare, rruga Krushopek-Lloka dhe projekti kryesor është ura e Sarajit, projekt i cili nuk është vetëm në shërbim të banorëve të Sarajit, por në shërbim të të gjithë qytetarëve të Shkupit, sepse është një rrugë që lidhë qendrën rekreative sportive, lumin Treska dhe Matkën”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

“Ne kemi projekte të përbashkëta. Një ndër projektet kryesore që kemi rënë dakord bashkërisht me kryetarin e Qytetit të Shkupit është zgjerimi i rrugës kryesore, e cila kalon nga ura e Sarajit deri në hyrje të vendbanimit Gllumovë”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Murati, tha se lidhur me problemin e deponive në këtë komunë kanë ndërmarrë aktivitete për pastrimin e deponive të egra, por, siç theksoi, ky problem nuk është i njëanshëm, por një problem reciprok, i cili kërkon edhe kujdesin e qytetarëve, që mos t’i hedhin mbeturinat në vendet që nuk janë të parapara për to. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)