Botë
OBSh dhe Fauçi: Pandemia, e pranishme deri në vitin 2022
22.02.2021 11:27
Numri i viktimave nga virusi koronavirusi në SHBA, i është afruar shifrës 500 mijë personash...

Numri i viktimave nga virusi koronavirusi në SHBA, i është afruar shifrës 500 mijë personash. Por derisa vazhdon fushata e vaksinimit, rastet e reja, shtrimet në spital dhe viktimat kanë rënë dukshëm në javët e fundit. SHBA-të aktualisht administrojn me rreth 1.5 milionë vaksina në ditë, ndërsa pritet një përshpejtim deri në prill. Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se pandemia nuk ka mbaruar ende dhe se shqetësim i veçantë janë variantet e reja të virusit.
SHBA-ja është vendi i më goditur nga virusi me rreth 30 milion të infektuar, ndërsa në Evropë vendet më të goditura janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja. Gjatë 24 orëve të fundit në Britaninë e Madhe u njoftua për mbi 9800 raste të reja, që tregon rënie në krahasim me të dhënat e një jave më parë. Deri tani 120 mijë njerëz vdiqën në këtë vend nga pasojat e virusit korona, i cili është niveli më i lartë i vdekshmërisë në Evropë. Kryeministri britanik, Boris Xhonson, njoftoi se Britania e Madhe deri tani ka vaksinuar 17.5 milion njerëz me dozën e parë të vaksinës anti Kovid. Qeveria Britanike ka për qëllim që çdo i rritur të marrë dozën e parë të vaksinës deri më 31 korrik të këtij viti.
Franca regjistroi mbi 22 mijë raste. Edhe në Itali përqindja e rasteve pozitive mbetet ende shqetësuese. Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 13 mijë e 452 raste pozitive dhe 232 viktima. Pavarësisht kufizimeve drastike të zgjatura rregullisht për dy muaj, Gjermania është përballur me vështirësi, veçanërisht për shkak të përhapjes së variantit britanik, për të përmbajtur pandeminë, e cila ka shkaktuar deri tani 68 mijë të vdekur.
Eksperti amerikan për sëmundjet infektive Antony Fauçi, ka paralajmëruar se mund të jemi të detyruar ta mbajmë maskën deri në fillim të vitit 2022. Sipas tij, një shkallë e konsiderueshme e normalitetit mund të rikthehet deri në fund të vitit, por jo normaliteti i nëntorit 2019. Ngjashëm ka vlerësuar edhe drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën Hans Kluge i cili beson se shpërthimi i virusit korona do të përfundojë në fillim të vitit 2022. Ai njëherit theksoi se OBSh-ja është duke monitoruar nga afër efektivitetin e vaksinave të zhvilluara kundër COVID-19 për shkak të llojeve të përhapjes së shpejtë të virusit, ndërsa theksoi se vaksinat mund të ndryshohen bazuar në mutacionet e reja.
GYLTENE SINANI
