Një sërë aktivitetesh në Shkup për festat e nëntorit

20.11.2014 17:47

Në prag të festës së 22 nëntorit, “Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në Komunën e Çairit është mbajtur takim për të rikujtuar të gjithë ata që kontribuuan për “Kongresin e Manastirit” ..........

Në prag të festës së 22 nëntorit, “Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në Komunën e Çairit është mbajtur takim për të rikujtuar të gjithë ata që kontribuuan për “Kongresin e Manastirit” dhe ata që kontribuuan në fushë të albanologjisë, siç ishte edhe Shaban Demiraj, akademiku i cili u la studiuesve të ballkanologjisë shumë të dhëna për “Kongresin e Manastirit”, për të cilin pritet që nesër të mbahet konferencë nga Instituti për Trashëgimi Kulturore.

“Nesër mbahet edhe një konferencë nga Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve, që i dedikohet një emrit të madh, akademikut, Shaban Demiraj, për kontributin e tij në fushën e albanologjisë, në fushën e gjuhës, në fushën e ballkanologjisë. Ky është një vlerësim që bëj në emër të qytetarëve të Çairit, të shqiptarëve nga Maqedonia, sepse kjo festë u takon gjithë shqiptarëve, apo ne jemi edhe më krenarë që kjo ndodhë pikërisht në Manastir, që është një vlerë që duhet ta ruajmë gjithë së bashku”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Në takim ishte pjesëmarrës edhe i biri i Shaban Demirajt, Bardhyl Demiraj, i cili po ashtu vazhdon të kontribuojë në fushë të albanologjisë në Gjermani.

“E ndjej veten shumë të nderuar që pikërisht mbahet një konferencë e tillë në prag të festës kombëtare të shqiptarëve këtu, që është 22 nëntori dhe unë do ta kem nderin që të marr pjesë në festivitetet që zhvillohen me këtë rast në Manastir. Këto fjalë do t’i thoshte më mirë im atë po të ishte gjallë dhe po të kishte edhe atë fuqi dhe shëndet, që të vinte vet në Shkup, meqenëse ai gjithmonë ka kujtuar brenda familjes, madje me mallëngjim, dy vizitat e tij në Shkup, sidomos në rastin kur edhe u botua libri i tij “Hyrje në gjuhësinë ballkanike” në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht. Do të ishte një gëzim i veçantë për të edhe data 22  nëntor me festivitetet e Shkupit, ku do të prezantohej, mos gaboj edhe libri i përkthyer i “Kongresit të Manastirit”, i përkthyer në maqedonisht, të cilin ai për fat të keq nuk arriti ta shihte sa ishte gjallë”- tha albanologu, Bardhyl Demiraj.

“Shaban Demiraj, është ndër njohësit më të mirë, i cili e ka hulumtuar “Kongresin e Manastirit”, por ka qenë edhe vet pjesëmarrës në “Kongresin e drejtshkrimit” të vitit 1972 dhe këto dy ngjarje na kanë shty që ne si institut të organizojmë një konferencë shkencore me ato hulumtime që akademiku, Shaban Demiraj, na ka lënë trashëgimi ne studiuesve, të cilët merremi me “Kongresin e Manastirit”, me gjuhën dhe në përgjithësi shkencën  e Ballkanologjisë”- u shpreh drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore, Skender Hasani.

Me këtë rast, Instituti për Trashëgimi Kulturore ka mbledhë studiues nga qendrat albanologjike, si  nga  Prishtina,  Tirana, Beogradi, Gjermania me qëllim të përvetësimit të njohurive për “Kongresin e Manastirit”, si dhe reflektimin e saj në bashkimin e shqiptarëve, thotë Hasani. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)