Maqedoni

Mijallkov i pakapshëm, shpallet fletëarrest ndërkombëtar

22.02.2021 15:45

Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur në kërkim...

Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur në kërkim me fletëarrest ndërkombëtar ish shefin e DSK-së dhe biznesmenin, Sasho Mijallkov, pasi i njëjti ishte i pakapshëm për organet e rendit pas kërkesës për paraburgim shtëpiak nga Prokuroria.

Alarmi që ai mund të arratiset është dhënë nga Byroja për Siguri Publike, ndërsa gjykata ka shqiptuar masa për sigurim të pranisë, kurse policia nuk e ka gjetur Mijallkovin në asnjë adresë për t`ia dorëzuar vendimin.                                                     

“Për shkak të interesit të media dhe në lidhje me fletëarrestin ndërkombëtar për të akuzuarin S.M., e informojmë publikon se nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme deri te Këshilli Penal i Gjykatës Penale në Shkup, gjatë paradites është dërguar kërkesë për pëlqim për shpallje të fletarrestit ndërkombëtar për të akuzuarin, i cili gjatë ditës së djeshme i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak me 24 orë mbikëqyrje, gjegjësisht privim nga liria. Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli Penal menjëherë e ka pranuar kërkesën dhe ka dhënë pëlqim që të shpallet fletarrest ndërkombëtar nga MPB-ja dhe e njëjta tashmë i është dërguar edhe kërkuesit.”,- njoftojnë nga Gjykata Penale.                                                    

Policia ka bërë të ditur se vazhdon kërkimin e Mijallkovkit si në hotelin në pronësi të tij “Merriot” në qendër të Shkupit, në shtëpinë e tij në Vodno dhe lokacione tjera.

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqje të menjëhershme të qeverisë

Por, kreu i opozitës maqedonase, Hristjan Mickoski, kërkoi dorëheqje të menjëhershme të Qeverisë, ndërsa nënkryetari i VMRO-së, Nikolloski, theksoi se koalicioni i përfolur midis Zaevit dhe Mijalkovit tani po vërtetohet.                          

“Koalicioni Vice Zaev, Zoran Zaev, Sasho Mijallkov, që nga tetori 2018, tani po vërtetohet. Shpërblimi arriti këtë fundjavë, në atë mënyrë duke ia mundësuar të ikë nga drejtësia. Në këtë moment kemi një të arratisur nga drejtësia. Spasovski hesht, Shekerinska nuk gjendet askund, ndërsa Zaev e hedh fajin. Maqedonia drejtohet nga një koalicion kriminal. Andaj presim që gjatë 24 orëve të ardhshme të sigurojnë të arratisurin nga drejtësia.”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski.

Akuza për përfshirje direkte të kryeministrit Zaev në arratisjen e Mijallkovit kishte edhe nga partia “E Majta”. Nga kjo parti, përpos dorëheqjes, kërkuan edhe përgjegjësi penale për funksionarët përgjegjës.

Zaev:  Populli është i dëshpëruar, të gjendet Mijallkov

Por, kryeministri, Zoran Zaev, mohoi të ketë marrëveshje politike për arratisjen e Mijallkovit. Zaev theksoi se nëse konstatohen lëshime te cilido institucion në procesin e arratisjes eventuale të Mijallkovit, do të ketë përgjegjësi.

“Njëjtë ashtu si populli edhe unë, jemi të zhgënjyer nga ajo që akoma nuk është gjetur, gjegjësisht nuk është arrestuar dhe të dërgohet në paraburgim shtëpiak personi, Sasho Mijallkov. Kërkoj që menjëherë të veprojnë institucionet dhe jam i bindur se këtë do ta bëjnë…pres detaje të kompletuara nga organet kompetente nën ingerenca të pushtetit ekzekutiv. Absolutisht nuk ka kurrfarë marrëveshje politike, fillimisht unë jam i lumtur që si pushtet ekzekutiv kemi siguruar kushte që në kohën pas regjimit është organizuar proces gjyqësor dhe pres që këtë javë, ashtu siç është paralajmëruar, të finalizohet dhe tanimë është paralajmëruar dënim dhe sipas të gjitha gjasave kjo është arsyeja se pse nuk është e mundur të gjendet personi, Sasho Mijallkov, në shtëpi. Pres që të ketë zgjidhje të plotë të rastit dhe pres që sa më shpejtë të lokalizohet dhe të futet në paraburgim shtëpiak.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Masa për paraburgim shtëpiak Mijallkovit i është shqiptuar për sigurimin e prezencës së tij në seancën e 26 shkurtit, ku duhet të shpallet aktgjykimi për rastin “Target-Fortesa”. Mijallkov, si i akuzuar i parë dhe ish funksionarë të tjerë akuzohen për përgjimet ilegale. (Zekirja Mexhiti, TVM2)