Deputetët shqiptarë kërkojnë debat për temat e nxehta
Komiteti për Marrëdhënie në mes Bashkësive, ka mbajtur mbledhje për të përpiluar agjendën për aktivitetet e vitit 2015........

Raporti për implementimin e MO-së, përdorimi i gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit siç e parasheh ligji, vendimet gjyqësore, të cilat kanë ndikuar në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, incidentet ndërtetnike nëpër shkolla, rrugë dhe autobusë, fyerjet në fushat e sportit, të cilat i prishin marrëdhëniet ndëretnike, raport nga Ministria e Financave për denacionalizimin e pronës janë disa nga temat për të cilat deputetët shqiptarë kanë shfaqur shqetësim dhe kanë kërkuar që komiteti të diskutojë.
Sipas deputetit të BDI-së, Rafiz Halitit, ky komitet patjetër duhet të ngrihet në nivelin e parashikuar.
“Vlerësoj se ato tema që i tangojnë qytetarët, ne duhet këtu t’i hapim si tema dhe t’i debatojmë hapur, pavarësisht cilit etnitet, cilës parti politike i takon, e kështu me radhë. KMN-ja duhet të ngrihet në nivelin që ka qenë i paraparë me MO-në, në nivelin që e parasheh kushtetuta dhe temat nuk duhet të anashkalohen, apo temat e nxehta të lihen nën tepih, përkundrazi, mendoj se pikërisht në këtë institucion këtu duhet të hapen ato tema, të debatohen, që me të vërtetë t’i rrugëtojmë drejt marrëdhënieve më të mira në RM”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Rafiz Haliti.
Sipas deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliut, Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike deri më tani nuk ka debatuar për problemet të cilat i tangojnë shqiptarët.
“Të gjitha debatet dhe zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve duhet të kenë një adresë të qartë, tryezën e Komitetit për Marrëdhënieve Ndëretnike, mirëpo fatkeqësisht asnjë propozim dhe vendim nga ky trup i parlamentit, madje edhe nga mbledhjet e mbajtura prej tij deri më tani, nuk ka të bëjë me asnjë zhvillim të lartpërmendur, që ka të bëjë me problemet reale ndëretnike. Komiteti deri më tani ose ka diskutuar për raportet e punës së OJQ-ve, ose për tema të kota, por debate për çështje të nxehta asnjëherë nuk janë vendosur në rend dite”- tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.
Ndërsa deputeti i integristëve, Xhevat Ademi, ka shprehur shqetësim për mospjesëmarrjen dhe anashkalimin e deputetëve maqedonas në punën e komitetit.
“Në vazhdimësi, punën e komitetit e përcjell një fenomen, pjesëmarrja aktive e deputetëve jomaqedonas dhe apstenenca e atyre maqedonas. Komiteti nuk është institucion kushtetues i ideuar si ventil... Ne në vazhdimësi, që nga viti 2001 e këndej, që nga ndryshimet kushtetuese, që nga konstituimi i komitetit e kemi shndërruar këtë institucion kushtetues në zjarrfikës. Nuk është ideja e autorëve të këtij mekanizmi mbrojtës nga majorizimi të debatojmë për situata të tensionuara, për zënka, për konflikte, dua të besoj se autorët e kësaj ideje kanë qenë më vizionarë, kanë dashur që komiteti të afirmojë klimë pozitive, afruese... Unë i ftoj publikisht kolegët maqedonas, anëtarë të komitetit, të kyçen në këtë debat”- u shpreh deputet i BDI-së, Xhevat Ademi.
Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, morën pjesë përfaqësues të të gjitha etniteteve në Maqedoni, por mungoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski dhe deputeti, Amdi Bajram. (Mefail Ismaili, TVM2)
