Kovid-19, 13 të vdekur, 129 të infektuar dhe 342 të shëruar

22.02.2021 18:30

Në 24 orët e fundit në vend janë kryer 854 teste....

Në 24 orët e fundit në vend janë kryer 854 teste për COVID-19, prej të cilëve 129 kanë rezultuar pozitivë. Po ashtu janë regjistruar edhe 13 viktima, derisa betejën me virusin e kanë fituar 342 pacientë.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi është 99 mijë e 408 persona, prej të cilëve 89 mijë e 742 janë shëruar, ndërsa 3 mijë e 76 kanë humbur jetën. Numri i rasteve aktive në vend aktualisht është 6 mijë e 590 persona.

Autoritetet shëndetësore kanë vlerësuar se ditëve të fundit është vërejtur një rritje e vogël e numrit të personave të infektuar dhe atyre në trajtim spitalor, kjo për shkak edhe të përhapjes së llojit britanik të virusit, i cili përhapet më shpejtë.

Siç bëhet e ditur, në Kovid qendrat në vend në trajtim spitalor janë 625 pacientë, prej të cilëve 248 në Shkup dhe 377 në qytetet tjera të vendit. Po ashtu deri tani janë vaksinuar një mijë e 40 punonjës shëndetësorë. Por, sekretarit të spitalit të Ohrit vaksinimi i kushtoi me shkarkim, pasi u vaksinua pa radhë, në kundërshtim me Planin Nacional për Imunizim.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se dënojnë çdo keqpërdorim dhe shkelje të grupeve prioritete që janë përfshirë në tre fazat e para të imunizimit me vaksinën anti Kovid.

Njëherit nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se nëpërmjet ueb-faqes “Vakcinacija.mk” janë paraqitur 63 mijë e 75 persona të cilët kanë shfaqur interesim për t’u vaksinuar. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)