Gruevski, në mbrojtje të testimit ekstern
Qëllimi i vlerësimit ektern në arsimin e lartë nuk është për t’i dëmtuar studentët dhe universitet, por është ide e cila ka për qëllim t’i ndihmojë studentët, që të pajisjen me njohuri të duhura dhe të bëhen gjeneratat më cilësore.......

Sipas kryeministrit, Nikolla Gruevski, kjo ide për vlerësim ekstern në universitete është duke u rishikuar me shumë vëmendje në opinionin publik dhe ai premtoi se para se të miratohet ky vendim, do të merren parasysh të gjitha këshillat dhe vërejtjet. Ai, hodhi poshtë spekulimet se në vitin e dytë të arsimit studentët nuk do të mund të paraqiten disa herë në provimin shtetëror.
“Sa u përket spekulimeve të fundit se gjatë realizimit të provimit shtetëror, që parashihet të bëhet në vitin e dytë të mësimit, nuk do të mund të paraqitet disa herë provimi shtetëror, nuk është e vërtetë. Çdo student do të mund ta paraqet provimin deri në marrjen e provimit shtetëror përfundimtar. Qëllimi ynë është që nëse dikush ka arritur të marrë notë kaluese pa pasur njohuri të duhura, tani ai do të jetë i obliguar ta mësojë lëndën”- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Sipas paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për atë se a do të ketë përfundimisht vlerësim ekstern dhe në cilën formë i njëjti do të organizohet nëpër universitete, do të dihet deri në fund të muajit të ardhshëm.
Këtë javë, një grup i studentëve organizuan protesta në Shkup kundër idesë për realizimin e vlerësimit ekstern në arsimin e lartë, duke konstatuar se i njëjti do të ndërhyjë në autonominë e universiteteve. (Rexhep Qamili, TVM2)
