UEJL, shënoi 13 vjetorin e themelimit

20.11.2014 17:57

Universiteti i Evropës Juglindore, sot ka shënuar trembëdhjetë vjetorin e themelimit.........

Përmes një ceremonie festive dhe në praninë e një numri të madh të personaliteteve nga jeta kulturore, politike dhe akademike, u  nda dhe  titulli më i lartë, “Doctor Honoris Causa”, që kësaj radhe i takoi  një personaliteti të shquar në jetën e biznesit shqiptar, presidentit dhe themeluesit të Kompanisë “Ecolog International” dhe “ND Group”, Nazif Destanit. Ceremoninë  e sotme e hapi rektori i UEJL-së, Zamir Dika, i cili para të pranishmëve numëroi të arriturat e universitetit brenda një viti  dhe prezantoi objektivat për vitin që vjen.

Pas leximit të aktit për ndarjen e titullit, rektori i UEJL-së, Zamir Dika, i ndau çmimin “Doctor Honoris Causa” pronarit të Kompanisë “Ecolog”, Nazif Destanit, ku ai tha se me vlerësimin më të lartë dhe me përulje e pranon titullin “Doctor Honoris Causa”, që i ka ndarë Universiteti i Evropës Juglindore.

Në ceremoni i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Qeveria e Maqedonisë do vazhdojë të mbështesë universitetet, me qëllim të përforcimit të kapaciteteve dhe ngritjes së cilësisë në arsim.

Në trembëdhjetë vjetorin e themelimit të UEJL-së, të pranishëm ishin rektorë të universiteteve nga Maqedonia dhe nga shtete të ndryshme të botës, si dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës,  Abdylaqim Ademi dhe ai i Drejtësisë, Adnan Jashari. (Miftar Emini, TVM2)