25 vjetori i Konventës së të Drejtave të Fëmijëve
Me një manifestim rasti, në Maqedoni u shënua sot 25 vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.........

Pjesëmarrës në manifestim ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, i cili theksoi se miratimi i konventës vetvetiu paraqiste një inovacion, i cili u bë shtytës i përparimit të rëndësishëm për fëmijët në dy e gjysmë dekadat e kaluara.
“Në këtë konventë qartë është theksuar se fëmijët kanë të drejtën e arsimimit, në kuadër të së cilës do të respektohet dinjiteti i tyre njerëzor. Fëmijët kanë të drejtë në arsim, i cili di tërësisht të zhvillojë karakterin dhe talentin e fëmijës, kjo duhet të nxisë fëmijët që të respektojnë prindërit e tyre, kulturën e tyre, fenë e tyre, por në të njëjtën kohë të mësojnë se duhet të respektojnë edhe kulturat dhe fetë e tjera”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Zakonisht ne themi se fëmijët janë e ardhmja jonë, megjithatë jo të gjithë fëmijët i kanë kushtet dhe të drejtat për zhvillim të duhur, si dhe për adaptim ose përshtatje ekzistenciale”- tha zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
“Sot para 25 viteve, liderët e botës e miratuan Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe përmes kësaj është bërë një përkushtim për të gjithë fëmijët, se bota do të bëjë gjithçka që t’i promovojë të drejtat e tyre, prej atëherë ne kemi hasur në interes të madh falë avancimit të shkencës, teknologjisë, medicinës, arsimit, por edhe bazuar në vetë interesat e konventës, se fëmijët i kanë të drejtat e tyre”- u shpreh përfaqësuesi nga UNICEF-i, Bertman Demullen.
Konventa për të Drejtat e Fëmijëve u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 20 nëntor të vitit 1989, ndërsa katër parimet themelore të konventës janë: mosdiskriminimi, interesi më i mirë i fëmijëve, mbijetesa dhe zhvillimi dhe respektimi i qëndrimit të fëmijëve. (Gyltene Sinani, TVM2)
