PDK-ja dhe LDK-ja arrijnë marrëveshje për koalicion

20.11.2014 18:04

PDK-ja e Hashim Thaçit megjithatë do të mbetet në qeveri, por sipas të gjitha gjasave, ekzekutivi i Kosovës nuk do të udhëhiqet nga Thaçi, por nga Isa Mustafa......

Marrëveshja u arrit dje në një takim te presidentja e Kosovës, në prani edhe të ambasadores amerikane, Xhekobson. Ndërsa marrëveshja për formimin e Qeverisë së Kosovës mes PDK-së dhe LDK-së është mirëpritur sot nga kryesia e PDK-së.

Por, kreu i PDK-së, Thaçi, nuk ka sqaruar se kush do të jetë kryeministër,  por vetëm e ka vlerësuar marrëveshjen si të qëndrueshme dhe me interes për Kosovën.

“Është marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, e sinqertë, e respektit të ndërsjellë, e bazuar në parime, kritere dhe standarde qeverisëse perëndimore”, deklaroi Thaçi.

Paraprakisht, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se qeveria do të drejtohet nga kjo parti, ndërsa ndarja e përgjegjësive në të gjitha nivelet do të jetë e barabartë, ndërsa për detajet do të bisedohet mes grupeve punuese.

Koalicioni PDK-LDK nuk është mirëpritur nga partitë e bllokut paszgjedhor që deri dje ishin në koalicion me LDK-në. Kryetari i AAK-së, Ramush Hardinaj, është ndjerë i tradhtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa. “Më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë”, tha Haradinaj.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se kjo qeverisje vetëm sa do ta legjitimojë krimin e organizuar dhe SHIK-un. “Koalicioni u bë vetëm sa për t’i zhdukur dosjet e Isa Mustafës në prokurori”, tha Kurti.

Ndërsa kryesuesja e seancës, Flora Brovina, tanimë ka paralajmëruar se së shpejti do të thërrasë seancën konstituive të kuvendit, e cila do të hapë rrugë për krijimin e institucioneve gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.