Maqedoni

Pakoja e pestë, 10 masa presin zgjidhje ligjore në Kuvend, Bytyqi: Deputetët të votojnë ligjet

24.02.2021 14:21

10 masat nga gjithsej 29 të pakos së pestë ekonomike presin zgjidhje ligjore në kuvend për t’u zbatuar....

10 masat nga gjithsej 29 të pakos së pestë ekonomike presin zgjidhje ligjore në kuvend për t’u zbatuar. Këtu numërohen gjitha masat që janë të lidhura me bankën për zhvillim, mbështetja financiare e pagave si dhe ndihma ndaj kompanive. Zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi pret që ligjet të miratohen sa më shpejtë në kuvend edhe përkundër shumicës së brishtë parlamentare, që ndihmesa të arrijë tek qytetarët për një rimëkëmbje financiare.
 
“Deputetët gjithashtu janë të zgjedhur që t’u shërbejnë qytetarëve, andaj konsideroj se gjithsecili nga ne duhet të ngrihet mbi veten dhe interesat tona partiake dhe personale dhe t’ua kthejmë qytetarëve atë që e meritojnë, t’u ndihmojmë kur kanë nevojë. Andaj konsideroj se do të gjendet kuorumi dhe vullnet që të punohet sipas nevojës edhe jashtë orari pasi që kjo është përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Protesta e hotelierëve, Bytyqi: S’veprojmë kundër Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse
 
Qeveria ende nuk ka finalizuar planin për shlyerjen e kamatave. Po bëhen konsultime me institucione të ndryshme që të gjendet zgjidhja më e zbatueshme. Bytyqi pret që kjo të finalizohet dhe të nis zbatimin nga muajt mars prill. Ndërkaq sa i përket protestës së hotelierëve dhe kërkesave së tyre për të rinisur punës pas humbjeve të mëdha, Bytyqi shprehet i hapur për të biseduar edhe pse S’vepron kundër rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive.
 
“Nuk kam guxim të veproj kundër rekomandimeve të komisionit për sëmundje ngjitëse pasi që njëherë të gjithë duhet të pranojmë se secili duhet të veprojë profesionalisht dhe kur komisioni rekomandon se ende nuk është koha që të bëhet rrethana më lehtësuese, do të duhet t’i dëgjojmë.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Sipas Bytyqit hotelierët nuk janë përjashtuar nga asnjë masë deri më tani. Sipas tij masa e dytë i jep mundësinë atyre që të fitojnë mjete të pakthyeshme, dukshëm më të mëdha  kur të nisin punën pas një viti.
 
MERAL ISMAILI