Maqedoni
ASh-AAA për rastin “Monstra”: Vendimi i Gjykates Thrmelore, është skandaloz
24.02.2021 16:22
Vendimin e Gjykatës Penale për rastin “Monstra” e kanë cilësuar skandaloz krerët e koalicionit ASh-AAA...

Vendimin e Gjykatës Penale për rastin “Monstra” e kanë cilësuar skandaloz krerët e koalicionit ASh-AAA, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi. Sipas Selës, qytetarët me të drejtë shqetësohen kur mungon shteti ligjorë ka korrupsion dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nuk respektohen. Ai përkujtoi kryeministrin Zaev se qytetarët i kanë besuar se shteti i së drejtës në Maqedoninë e Veriut do të bëhet realitet.
“Urgjentisht i bëjmë thirrje vendeve të BE-së, Gjermanisë, Francës, Holandës që konform asaj që kemi premtuar qytetarëve në Maqedoni të sjellin grupin e gjykatësve dhe prokurorëve ekspertë që do të rihapin edhe një herë dhe do të rigjykojnë me prezencën e tyre të gjitha proceset e montuara politike duke përfshirë edhe këtë të “Monstrës”. Zoran Zaevi erdhi dhe mori mandat me premtimin se do të ndalë një herë e përgjithmonë proceset e montuara politike. Erdhi me premtimin se sigurt se njerëz të pafajshëm qëndrojnë nëpër burgje. Na mbushi mendjen që do të zbardhet e vërteta për “Monstrën”.”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Ndërkohë kreu i Alternativës Afrim Gashi tha se gjykatat kanë dështuar plotësisht në nxjerrjen e drejtësisë në sipërfaqe.
“Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur pas gjykimit skandaloz që ndodhin me rastin e montuar “Monstra”. Gjithçka që kërkojmë unë dhe Zijadini, ASH dhe AAA por edhe të gjithë qytetarët e këtij vendi besoj, drejtësia dhe e vërteta. Le të na i tregojnë të vërtetën dhe ta shpalosin drejtësinë dhe gjithkush do të jetë rahat. Në këtë proces të montuar politik, unë mund të konstatoj lirshëm se shteti dhe gjykatat e këtij vendi kanë dështuar plotësisht që ta sjellin drejtësinë dhe të shpalosin të vërtetën.”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Gjykata Penale në Shkup për herë të dytë shpalli fajtorë pesë të akuzuar në rastin “Monstra”. Për të akuzuarin, Alil Demiri, dhe vëllezërit, Afrim dhe Agim Ismailoviq, për veprën terrorizëm, Gjykata shqiptoi dënim me burg të përjetshëm, Fejzi Azirin, e dënoi me 15 vite burg dhe Haki Azirin me 9 vite burg.
NAIM RAMADANI
