Maqedoni

Kumanovë, arriti dërgesa e dytë e vaksinave anti-Covid nga Serbia

24.02.2021 16:11

Pas pjesës së parë të donacionit prej 4.680 vaksinave anti-Covid, “Pfizer”, ashtu siç ishte e paralajmëruar...

Pas pjesës së parë të donacionit prej 4.680 vaksinave anti-Covid, “Pfizer”, ashtu siç ishte e paralajmëruar, sot arriti edhe pjesa e dytë e këtij donacioni. Në pikën kufitare në Tabanoc,  pranim-dorëzimi i dërgesës së dytë të vaksinave anti-Covid, u bë nga dy ministrat e shëndetësisë, atij të Serbisë, Zllatibor Llonçar, dhe të Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.
 
“Këtë që po e bëjmë sot është pjesë e marrëveshjes midis presidentit, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrit, Zoran Zaev. Atë që e premtuam sot edhe po e realizojmë, sollëm edhe 3.510 doza të vaksinave për qytetarët e RMV-së, që gjithsej janë 8.190 doza vaksinash. Dua të theksoj se ne do të vazhdojmë së ndihmuari edhe në raste të tjera qytetarët e RMV-së.”,- tha ministri i Shëndetësisë i Serbi, Zllatibor Llonçar.
 
“Falë këtyre dozave të vaksinave nga Kompania “Pfizer”, filluam procesin e imunizimit të punëtorëve shëndetësorë. Imunizimi po kryhet në atmosferë të mirë, në një punkt në gjashtë vende, në Klinikën e Shkupit. Deri tash janë vaksinuar rreth 1.300 punëtorë shëndetësorë. Dhe me dinamikën prej 250 deri 300 vaksinime në ditë vazhdojmë më tutje. Kjo sasi e vaksinave do të jetë e mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë punëtorëve shëndetësorë të përfshirë në grupin me prioritet të vaksinimit, ata pra të cilët janë duke u përballur me pacientët e infektuar me Covid-19.”,- theksoi ministri i shëndetësisë i RMV-së, Venko Felipçe.
 
Aktualisht në vend janë duke u vaksinuar personeli mjekësor, ndërsa pas tyre parashihet të fillojë vaksinimi i të moshuarve mbi 70 veç. Vendi gjithashtu ka nënshkruar kontratë dhe ka kryer pagesën për 200 mijë doza të vaksinave nga Kompania kineze “Sinofarm”, për të cilat është ende në pritje, ndërsa po bëhen marrëveshje për sigurimin e 100 mijë dozave të vaksinës ruse “Sputnik V”. Derisa vazhdon vaksinimi i personelit mjekësorë, ditëve të fundit ka shënuar rritje numri i pacientëve me Kovid-19 në trajtim spitalor. Aktualisht në trajtim spitalor në të gjitha qendrat Kovid në vend ndodhen 655 persona. Vetëm në qendrat Kovid në Shkup në 24 orët e fundit janë pranuar 25 pacientë të rinj, ndërsa gjithsej po trajtohen 251 pacientë. 
 
FATLUM AQIFI