Debat mbi pjesën ekonomike të raport-progresit
Kriteret ekonomike të pasqyruara në Progres-raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, kanë qenë tema diskutimi midis përfaqësuesve të biznesit dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Fatmir Besimit.......

Palët janë dakorduar për një bashkëpunim më të fuqishëm, veçanërisht sa i përket mbështetjes për kompanitë vendore, përfilljes gjatë krijimit të kuadrit ligjor, ndërsa theks i veçantë i është kushtuar thithjes së fondeve të BE-së që burojnë nga programe të ndryshme të dedikuara për Maqedoninë dhe rajonin.
“Diskutuam për fondet evropiane IPA-2, që janë 73 milionë euro nga 664 për 2014-2020, për inovacionet dhe aftësitë konkurruese, ku erdhi një kërkesë direkt nga sektori i biznesit vitin e kaluar dhe kështu u bë pjesë e këtij programi dhe gjithashtu programet rajonale, që janë një iniciativë e re për Ballkanin Perëndimor, rreth 300 milionë euro për ndërmarrësi për zhvillim dhe inovacione, që do të duhet të aplikojnë kompanitë nga rajoni”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Komuniteti i biznesit ka ftuar klasën politike që të angazhojë të gjitha forcat për të hapur rrugën drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Vetëm në atë mënyrë, sipas tij, vendi do të shënonte edhe më shumë rritje ekonomike. Ata gjithashtu kanë kërkuar më shumë pjesëmarrje gjatë ndryshimeve në kuadrin ligjor.
“Çështja e integrimit tonë në NATO, është çështje politike për të cilën vërtet duhet vullnet politik. Jemi bërë peng si vend i kësaj çështje dhe besoj, me shmangien e këtij problemi, vendi ynë do të mund me resurset që ka, duke pasur parasysh edhe fondet e ndryshme evropiane, që janë për zhvillimin e kapaciteteve tona, do të mund vërtet të jetë edhe më befasuese”- tha Menderes Kuçi nga OEMVP.
“Konstatim i përbashkët është se raport-progresi është real, me disa vërejtje, në të cilat duhet kushtuar më shumë vëmendje për të shënuar përparim. Bëhet fjalë për ndryshimet e shpeshta në kuadrin ligjor pa një komunikim adekuat me komunitetin e biznesit, të cilin gjatë periudhës së ardhshme duhet ta përmirësojmë”- u shpreh Mitko Aleksov nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Debati është zhvilluar në kuadër të takimeve për shqyrtimin e Raport-progresit të BE-së për Maqedoninë dhe përpjekjeve për të përmbushur obligimet që dalin nga ky raport. (Naim Ramadani, TVM2)
