Botë
Miratohet marrëveshja për vaksinën ruse, nuk dihet data e arritjes së vaksinave të tjera
25.02.2021 12:06
Qeveria miratoi marrëveshjen për furnizim me 100 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik 5...

Qeveria miratoi marrëveshjen për furnizim me 100 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik 5, por ende nuk ka një datë të caktuar të mbërritjes së këtyre vaksinave. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, nuk kishte ndërkohë përgjigje as se kur 200,000 vaksinat e paralajmëruara nga prodhuesi kinez Sinofarm do të mbërrijnë në vendin tonë, as për 5800 dozat e porositura nga Pfizer për të cilat u përfol se do të mbërrinin në fund të këtij muaji. Ai thotë se po punohet në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.
“Kërkohen dokumente shtesë, por edhe qartësim i disa neneve nga kontrata. Këto dalin nga komunikimi i çdo ditshëm dhe shkëmbimi i informacioneve. Ja edhe sot kemi komunikim dhe shpresoj që ditëve në vijim do të kemi data konkrete se kur do t’i kemi këto vaksina.", tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Filipçe paralajmëron fushatë, 180 mijë qytetarë të paraqitur për vaksinim
Edhe pse sasitë e vaksinave të mbërritura në vendin tonë nga Serbia janë të pakta, imunizimi i personelit mjekësor tashmë ka filluar. Me 8000 vaksinat nga Serbia aktualisht janë vaksinuar 1700 punonjës shëndetësorë. Deri tani, janë paraqitur edhe rreth 180 mijë qytetarë mbi moshën 70-vjeçare dhe të sëmurë kronikë. 50 mijë nëpërmjet mjekëve amë dhe ueb faqes “Vakcinacija.mk”. Filipçe thotë se përmes një fushate do të përpiqen t’i bindin qytetarët për rëndësinë e vaksinimit.
"Është e rëndësishme që përqindja e profesionistëve shëndetësorë që kanë treguar interes për t'u vaksinuar është jashtëzakonisht e lartë. Në këtë periudhë tjetër jo më shumë se 10 deri në 14 ditë ne do të përfundojmë procesin e imunizimit të të gjithë profesionistëve shëndetësorë, afër 4,000 të cilët punojnë me pacientë me Covid. Ne planifikojmë edhe fushatë për qytetarët. Planifikojmë edhe telefonata nëpërmjet mjekëve amë. Unë besoj se sikurse e bëmë me epideminë e Morbilit, do ta bëjmë të njëjtën edhe tani.", tha Filipçe.
Gjatë vizitës në Poliklinikën e Bukureshtit me rastin e donacionit prej 12 frigoriferësh mjekësorë nga Stopanska Banka, Filipçe tha se përkundër rritjes së numrit të rasteve të reja pozitive sidomos me mutacionin e ri anglez, nuk parashikohen masa shtrënguese shtesë dhe kapacitetet spitalore nuk janë të rrezikuara.
FARIJE DAUTI BAKIU
