Maqedoni
Aziri: 16.5%, numri që karakterizon diskriminimin
26.02.2021 10:10
Ndaj rezultateve të programit kulturor të sivjemë, ka reaguar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri....

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, ka reaguar ndaj rezultateve të programit vjetor kulturor të publikuar dy ditë më parë.
“16.5% është numri i cili karakterizon diskriminimin, mospërfilljen dhe qasjen tërësisht jo serioze te Ministres së Kulturës ndaj projekteve shqiptare dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Ligji për kulturë ja njeh të drejtën ministres për t’i caktuar komisionet dhe për të sjellë program për kulturë, por ministrja e kulturës, në vend që të krijojë një proces gjithëpërshirës dhe programi për kulturë të reflektonte realisht përfaqësimin e të gjithë komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ajo zgjodhi që programën e kulturës ta modelojë dhe ta ideojë në bazë të pikëpamjeve të saj dhe të krijojë një precedent të pa dëgjuar më herët, duke zhvilluar një proces i cili që nga fillimi ishte i determinuar që të ishte diskriminues e i një anshëm . Në asnjë rast ministrja e kulturës nuk e pa të arsyeshme që të konsultohet e këshillohet me artistë dhe veprimtarë të kulturës jashtë këshilltarëve të kabinetit të saj.
Andaj, me plot përgjegjësi deklaroj që në realitet po citoj ministren Irena Stefoska, se përgjegjësia mbi shpalljen e rezultateve dhe sjelljen e programës është tërësisht e saj. Para se gjithash si pjesë e komunitetit artistik dhe si sekretar shtetëror, shpreh revoltën time ndaj kësaj maskarade dhe kërkoj me ngulm publikisht që, ministrja e kulturës të tërheq programin diskriminuese dhe të mbajë përgjegjësinë e plotë për të njejtën”, reagon Aziri.
