Maqedoni

Një vit pandemi në RMV, mbi 100 mijë të infektuar nga Kovid-19

26.02.2021 11:12

Para një viti u regjistrua rasti i parë i infektuar me virusin Korona në vend....

Para një viti u regjistrua rasti i parë i infektuar me virusin Korona në vend. Rasti i parë ishte një grua nga Shkupi, e cila mbërriti në vend nga Italia përmes pikës kufitare Tabanoc, më 26 shkurt 2020, në një furgon me disa persona të tjerë. Ajo u vendos menjëherë në kujdes intensiv në Klinikën Infektive në Shkup. Menjëherë filloi zbatimi i masave, përfshirë izolimin 14-ditor të udhëtarëve të tjerë në furgon. M
 
ë 6 mars një çift bashkëshortor nga Dibra doli pozitiv me virusin Korona, të cilët disa ditë më parë ishin kthyer nga Italia. Pas rastit të tyre, Dibra u bë vatër dhe u vendos në karantinë. Gruaja 66 vjeçare ndërroi jetë më 25 mars. Ndërsa më 9 mars numri i të infektuarve u rrit në shtatë persona.
 
Në fillim nuk u rekomandohej njerëzve të shëndetshëm të mbanin maska, më pas maskat u bënë të detyrueshme në ambientet e brendshme dhe aty ku nuk ruhej dot distanca. RMV u bë vendi i parë në rajon që mori masa të rrepta, përfshirë shtetrrethimin. Komisioni për Sëmundje Infektive rekomandoi mbyllje të kopshteve, shkollave dhe fakulteteve. Komisioni rekomandoi të ndërpriten të gjitha tubimet masive në ambiente të hapura dhe të mbyllura, të gjitha ngjarjet kulturore në nivel shtetëror dhe garat sportive, ndërsa personat më të moshuar të shmangin transportin publik.
 
Megjithëse vlerësimet e para ishin se numri I përgjithshëm i të infektuarve do të arrinte në rreth 2,000 njerëz dhe do të kishte vetëm disa vdekje, aktualisht numri i përgjithshëm I të infektuarve ka tejkaluar 100 mijë persona, derisa numri i të vdekurve ka tejkaluar 3 mijë e 100 persona, ndërsa numri i rasteve aktive aktualisht arrin në mbi 7 mijë persona. Numër më i madh i të vdekurve është shënuar më 30 nëntor të vitit 2020, kur kanë ndërruar jetë 40 pacientë të cilët ishin të infektuar me Covid 19. Kulmi i epidemisë në vend ishte më 17 nëntor, kur në një ditë u regjistruan 1,400 raste të reja.
 
Imunizimi kundër Covid-19, u theksua si mjeti kryesor për t'i dhënë fund pandemisë në të gjithë botën. RMV priste të merrte vaksina përmes sistemit Kovacs, por kjo dështoi. Nuk erdhën as vaksinat e premtuara nga Greqia dhe Bullgaria. Pas shumë vonesash për shkak të problemeve me rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe garantimin e transportit, u realizua donacioni prej 8190 vaksinash nga Serbia, me të cilat po realizohet vaksinimi i personelit mjekësor në qendra Kovid. Në fillim të muajit mars pritet arritja e 200 mijë vaksinave nga prodhuesi kinez "Sinofarm", pas së cilës, sipas njoftimeve nga autoritetet, do të fillojë imunizimi i kategorive më të rrezikuara. Deri tani 67,700 qytetarë janë regjistruar për vaksinim përmes faqes në internet "vakcinacija.mk", dhe 43,789 përmes mjekut të familjes.
 
GYLTENE SINANI