Maqedoni

Navalni transferohet në një burg jashtë Moskës

26.02.2021 12:48

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalni është dërguar në një burg jashtë Moskës për të vuajtur dënimin....

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalni është dërguar në një burg jashtë Moskës për të vuajtur dënimin, pavarësisht kërkesës për lirimin e tij nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
Alexey Navalni, 44 vjeç, kundërshtari më i zëshëm i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua më 17 janar kur po kthehej nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga një helmim me agjentë nervorë për të cilin ai e ka fajësuar Kremlinin. Autoritetet ruse e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë akuzuar zotin Navalni për bashkëpunim me agjencitë perëndimore të zbulimit, pretendime që ai i ka quajtur qesharake.
 
Agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar më parë se Navalni, i cili është mbajtur në një burg të sigurisë maksimale në Moskë, mund të dërgohej në një burg në Rusinë perëndimore.
 
Në fillim të këtij muaji, Navalni u dënua me 2.5 vjet burg për shkeljen e dënimit me kusht, ndërsa po shërohej në Gjermani. Dënimi ishte pjesë e akuzave për përvetësim parash të ngritura në 2014 që Navalni i ka quajtur të sajuara. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e ka quajtur të paligjshëm vendimin e gjykatës ruse për këtë çështje.
 
Arrestimi i Navalnit ka nxitur një valë protestash nga dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Rusinë. Autoritetet kanë arrestuar rreth 11,000 njerëz, shumë prej të cilëve u gjobitën ose u burgosën me nga shtatë deri në 15 ditë.
 
Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të liruar Navalnin dhe për të ndalur shtypjen e mbështetësve të tij.
 
Këtë javë, ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord të vendosnin sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë të lidhur me burgimin e Navalnit.