Maqedoni
“Target-Fortesa”, Gjykata shqiptoi 55 vite burg për të akuzuarit, Mijallkov u dënua me 12 vite burg
26.02.2021 14:55
Përgjimi i jashtëligjshëm dhe shkatërrimi i pajisjeve, mori epilog gjyqësor me shqiptimin e 55 viteve burg për 12 të akuzuar.....

Përgjimi i jashtëligjshëm dhe shkatërrimi i pajisjeve, mori epilog gjyqësor me shqiptimin e 55 viteve burg për 12 të akuzuar. Ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, u dënua me 12 vite burg dhe nga paraburgimi shtëpiak përfundoi në paraburgim në burgun e Shutkës. Ish ministrja, Gordana Jankullovska, do të vuajë 4 vite burg, ndërkaq të arratisurit, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, u dënuan me nga 15 vite heqje lirie.
“Motivi i të akuzuarve për marrjen e veprimeve për shkatërrimin e pajisjeve është me qëllim të ikjes së përgjegjësisë nga keqpërdorimet e bëra. Pasojat e këtyre veprave janë të mëdha dhe të rënda ndaj buxhetit. Gjykata konkludon se aktorët janë të dënuar dhe s’ka persona të paprekshëm, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.”,- tha gjykatësja, Xheneta Begtoviq.
Vendimi i kalimit nga paraburgimi shtëpiak në burgun e Shutkës erdhi me kërkesë të prokurores, Lençe Ristovska. Ajo kërkesën e mbështeti në disa arsye, midis tjerash, pasi MPB në mungesë të pajisjeve teknike s’mund të observojë paraburgimin shtëpiak të Mijallkovit dhe mundësisë së arratisjes.
“I akuzuari Mijallkov ka leje qëndrimi dhe adresë të regjistruar banimi në Pragë, ku ka të regjistruar edhe dy vetura në emër të tij. Bëhet fjalë për person i cili posedon biznese private, anëtarët e familjes së tij gjithashtu kanë biznese private dhe e gjithë kjo të njëjtit i vë në dispozicion mundësi financiare që të organizojë logjistikë dhe komod të jetojë si i arratisur.”,- tha prokurorja, Lençe Ristoska.
Avokati i Sasho Mijallkovit, Lupço Shfërgovski, tha se mungesa e resurseve të MPB-së nuk duhet të shkojë në dëm të të akuzuarit. Gjithashtu mohoi mundësinë e arratisjes së Mijallkovit edhe përkundër posedimit të pasurisë.
“Bëhet fjalë për informacione publike që para nisjes së procedurës penale dhe në vijim. Kjo në asnjë mënyrë nuk mund të jetë bazë për shqiptimin e masës më të rëndë kur ato të dhëna janë publike dhe të evidentuara dhe të njohura.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Ljupço Shfrgovski.
Rastin “Target – Fortesa” e hapi ish Prokuroria Speciale. Nëpërmjet tre sistemeve në DSK-së nga viti 2008 e deri në vitin 2015, jashtëligjshëm janë përgjuar më shumë se 4 mijë e 600 numra telefonash të kryetarëve të komunave, gazetarëve, biznesmenëve dhe avokatëve.
MERAL ISMAILI
