Protesta për rastin “Monstra”, përleshje mes protestuesve dhe Policisë
Me moton “Duam drejtësi”...

Me moton “Duam drejtësi”, në Shkup u protestua kundër vendimit gjyqësor për rastin “Monstra”.
Por, me gjithë paralajmërimin e protestës, e cila filloi nga Parku i Çairit, për të përfunduar para Qeverisë, kordoni policor ndërpreu marshutën e protestuesve para Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, përkatësisht në afërsi të bustit të Hasan Prishtinës, me arsyetimin se në vend ndodhen delegacione të huaja.
Pas insistimit të organizatorëve për të vazhduar marshutën, me ndërhyrjen e deputetëve opozitarë, protesta u ndërpre.
“Ne po kërkojmë drejtësi dhe nuk jemi duke kërkuar mëshirë. Na lejoni të vazhdojmë rrugën drejt Qeverisë, ashtu siç kemi planifikuar. Me këtë sistem, me këto institucione, gjithkush mund të jetë i paditur.”,- deklaroi organizatori, Bedri Ajdari.
Por, me gjithë insistimin e organizatorëve, Policia nuk u tërhoq, prandaj me propozimin e deputetit opozitar, Skender Rexhepi, për të shmangur incidentet, organizatorët ndërprenë protestën.
“Këta kanë ardhur për të provokuar. Qëllimi i tyre është provokim dhe nuk guxoni që të bini ju në këtë provokime për hatër të këtyre fëmijëve. Qëllimi i tyre është t’i shohin shqiptarët të përgjakur, t’i shohin të burgosur. Ju ndihmojmë juve që t’i ktheni protestuesit mbrapa, caktoni një protestë tjetër dhe do të vijmë një ditë tjetër sërish.”,- tha deputeti i ASH-AA, Skender Rexhepi.
“Herët tjera do të vazhdojmë edhe më të fuqishëm edhe me mesazhe më të forta dhe më justifikuese për qëllimin e protestave.”,- u shpreh organizatori, Bedri Ajdari.
Por, një pjesë e protestuesve nuk iu bindën thirrjes për përfundimin e protestë dhe u përleshën me policinë.
Policia ndoqi protestuesit deri në shpërndarjen e tyre, ndërsa njoftohet edhe për të paktën 8 protestues të arrestuar dhe 7 pjesëtarë të Policisë të lënduar. Protesta u thirr nga familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup që t’i shpallë fajtorë pesë të akuzuarit.
Për të akuzuarin, Alil Demiri dhe vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, për veprën “terrorizëm”, Gjykata shqiptoi dënim me burg të përjetshëm, Fejzi Azirin e dënoi me 15 vite burg dhe Haki Azirin me 9 vite burg. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
