Gostivar, debat për avancimin e arsimit profesional

26.02.2021 18:24

Përkundër lartësisë prej 17 për qind të popullatës....

Përkundër lartësisë prej 17 për qind të popullatës së vendit, e cila llogaritet e papunë, tregut të punës i nevojiten punëtorë. Kjo u tha në debatin social për avancim të arsimit profesional, që u zhvillua në Gostivar mes MASh-it, shkollave të mesme profesionale, odave ekonomike, përfaqësuesve të biznesit dhe pushtetit lokal.

“Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm”, tha ministrja e Arsimit, Milla Carovska, dhe përmes kësaj motoje, shtoi ajo, dikasteri që drejton do të inkorporojë reformat në arsimin fillor dhe të mesëm.

Kryetari, Arben Taravari, tha se nisma për të dëgjuar nga baza se çfarë i nevojitet tregut të punës do të tejkalojë diskrepancën mes kërkesës dhe ofertës.

Zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani, tha se qëllimi i këtyre debateve është identifikimi i nevojave reale të ndërmarrjeve dhe rrjedhimisht përgjigjes së kërkesave të tyre nga aspekti i kuadrit profesional.

Drilon Iseini - kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, tha se tregut të punës i nevojiten profile të shumta, duke filluar nga inxhinierë e deri te muratorët.

Takimet e këtilla rajonale u paraprinë analiza e kryera nga MASh, e cila paraprakisht ka dhënë një pasqyrim të profileve ekzistuese të ofruara nga shkollat, pajtueshmërinë e tyre me nevojat e kompanive dhe gatishmërinë e kompanive me shkollat e mesme profesionale në nivel lokal.

Në analizë janë përfshi 450 kompani nga i gjithë vendi, nga të cilat 85% janë deklaruar se janë të gatshme të bashkëpunojnë me shkollat e mesme profesionale dhe të pranojnë nxënës për mësim praktik. (Lulzim Haziri, TVM2)