Mijëra demonstrues kërkojnë gjetjen e studentëve të zhdukur në Meksikë
Dhjetëra mijëra demonstrues kanë marshuar në kryeqytetin e Meksikës, duke kërkuar nga autoritetet e vendit që të gjejnë 43 studentët e zhdukur........

Demonstrata e 20 nëntorit është mbajtur të njëjtën ditë kur normalisht festohet “Revolucioni i Meksikës” i viteve 1910-1917.
Por, autoritetet e vendit kanë anuluar manifestimet tradicionale për këtë ditë, e cila u zëvendësua me protestuesit të cilët mbanin flamuj të zi në shenjë zie për të zhdukurit. Demonstruesit thanë se i tërë vendi është i zemëruar jo vetëm me zhdukjen e 43 studentëve, por edhe ndaj vendit të zhytur në korrupsion dhe i mbushur me plotë grupe kriminale.
Studentët e një shkolle të lartë për mësues janë zhdukur pasi ata më 26 shtator u përleshën me policinë në qytetin Iguala, që gjendet në shtetin Guerro, të trazuar nga prania e shumë bandave. Para dy jave, është lajmëruar për gjetjen e një varreze masive me shumë mbetje të djegura njerëzore.
Disa anëtarë të dyshuar të një bande në Meksikë kanë thënë se kanë vrarë 43 studentët e zhdukur dhe se kanë djegur eshtrat e tyre. Por, prokurori i përgjithshëm i Meksikës, Murillo Karam, ka thënë se do të jetë e vështirë të identifikohen mbetjet e djegura dhe se autoritetet do të vazhdojnë t’i konsiderojnë studentët të zhdukur, derisa testet e ADN-së të konfirmojnë identitetin.
