Para raundit të fundit të bisedimeve për programin bërthamor të Iranit

21.11.2014 12:15

Raundi i fundit i bisedimeve për programin bërthamor mes Iranit dhe fuqive botërore do të vazhdojë sot në Vjenë, ku pritet që të arrihet marrëveshja para afatit të caktuar, më 24 nëntor.....

Mbrëmë, negociatorët e bisedimeve kanë zhvilluar një bisedë deri në orët e vona, ku kanë marrë pjesë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Zarif dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ndërsa sot, në Vjenë pritet që bisedimeve t’ju bashkëngjiten edhe ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius dhe sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond.

Sekretari amerikan, Kerry, ka thënë se fuqitë botërore janë të “bashkuara” në kërkim të gjetjes së një marrëveshjeje dhe se ato nuk po flasin që kjo çështje të shtyhet mbas afatit të përcaktuar, që është 24 nëntori.

Por, përfaqësuesi i Rusisë në këto bisedime, Sergei Ryabkov, e ka përshkruar atmosferën si të “tensionuar” dhe ka thënë se arritja e marrëveshjes do të jetë shumë e vështirë.

Ndryshe, gjashtë fuqi botërore, si Anglia, Rusia, Franca, Gjermania, SHBA-të dhe Kina kanë hyrë në bisedime me Iranin, nga e cila po kërkojnë që të ndalë zhvillimin e programit bërthamor.