Mianmar, policia hapi zjarr ndaj protestuesve
Policia në Mianmar ka hapur zjarr ndaj protestuesve në Mianmar, duke vrarë të paktën 18 persona...

Policia në Mianmar ka hapur zjarr ndaj protestuesve në Mianmar, duke vrarë të paktën 18 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Kështu tha zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
“Përgjatë ditës, në disa lokacione në mbarë vendin, policia dhe forcat ushtarake kanë konfrontuar protestuesit paqësorë, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak vdekjeprurëse, thuhet në informacionet e besueshme që ka marrë Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së. Të paktën 18 persona kanë vdekur dhe mbi 30 janë lënduar”, tha kjo zyre.
Përveç që ka shtënë në drejtim të protestuesve, policia dhe ushtria raportohet se kanë përdorur granata të tymit dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Kjo është dita më e përgjakshme në protestat që po mbahen kundër puçit ushtarak.
Në Mianmar – që ndryshe njihet edhe si Birmani – që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qindra-mijëra persona kanë dalë në protesta për ta kundërshtuar marrjen e pushtetit nga ushtria.
Ushtria pretendon se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ku ka shënuar fitore bindëse partia e lideres de fakto të këtij shteti, Aung San Suu Kyi. Suu Kyi, së bashku me udhëheqësin e partisë së saj, u arrestuan më 1 shkurt.
