Maqedoni

Epidemiologët: Po fillon valë e re e të infektuarve me Kovid-19

28.02.2021 15:26

Ditëve të fundit numri i personave të infektuar nga virusi Korona në vend ka shënuar rritje...

Kjo ka bërë që sërish numri i rasteve aktive të rritet në mbi 8 mijë të infektuar nga rreth 6 mijë sa ishte ditë më parë. Kjo paralajmëron mundësinë e një vale të re infektimesh, thonë epidemiologët.
 
Sipas tyre, moti i mirë ka bërë që njerëzit të rrisin lëvizjen, me çka i kontribuojnë shpërndarjes së virusit. Lloji i virusit britanik po ashtu i kontribuon përhapjes së shpejtë, thotë epidemiologu Danillovski.
 
“Nga mesi i shkurtit po rriten numrat. Është e dukshme se po fillon valë e re. Një arsye është se njerëzit po lëvizin për shkak të motit të mirë, pasi njerëzit janë lodhur nga masat. Po lëvizin edhe ata që e kaluan virusin duke vlerësuar se nuk ekziston rrezik për ta. Është e saktë se janë të sigurt për vete, por një numër i vogël i tyre që nuk kanë zhvilluar antitrupa do të mund të infektohen përsëri, por pa simptoma dhe do të mund ta përhapin virusin tek të tjerët.”,- tha epidemiologu, Dragan Danillovski.
 
Ai apelon për respektimin e masave deri në imunizimin e mbi 70% të popullsisë.
 
“Që sa më shpejtë të vijë ai moment, është shumë me rëndësi që sa më shumë dhe sa më shpejtë qytetarët të vaksinohen. Apeloj te autoritetet që të bëjnë gjithçka për sjelljen sa më parë të vaksinave të paralajmëruara. Cilado vaksinë është më e mirë se sa virusi.”,- theksoi epidemiologu, Dragan Danillovski.
 
Danillovski thotë se edhe personalisht do të vaksinohet sapo t’i vijë radha me cilëndo vaksinë. Autoritetet kanë njoftuar se në fillim të marsit pritet të arrijnë vaksinat kineze të cilat fillimisht ishin paralajmëruar për në fund të shkurtit.
 
Po ashtu janë bërë porosi edhe për vaksinën e Fajzerit dhe kompanive tjera, përfshi edhe atë ruse Sputnik. Por, data konkrete për arritjen e vaksinave nuk janë dhënë. Autoritetet shëndetësore po ashtu nuk e kanë përjashtuar edhe mundësinë e rritjes së masave restriktive nëse vlerësohet se është e nevojshme.   
 
GYLTENE SINANI