Maqedoni
Prokuroria Themelore Publike, paraburgim për dy protestues për rastin mostra
28.02.2021 16:55
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale me kërkesë të Prokurorisë Publike ka shqiptuar masën e paraburgimit...

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale me kërkesë të Prokurorisë Publike ka shqiptuar masën e paraburgimit dy personave të dyshuar për “pjesëmarrje në turmë” të cilët siç thuhet kanë kryer vepër penale në protestën e së premtes kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra”.
“Të dyshuarit, të moshës 22 dhe 19 vjeç, morën pjesë në tubimin publik të qytetarëve në Shkup - protestë kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra”. Pasi mbaroi fjalimi i organizatorit të protestës, të dyshuarit dhe disa të tjerë filluan të vepronin së bashku drejt oficerëve të policisë, duke hedhur gurë, pllaka bekatoni, shufra metalike dhe sende të tjera, në përpjekje për të thyer kordonin e policisë. Si rezultat,u lënduan një gazetar i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe 11 oficerë policie.”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.
Derisa masa e caktuar ndaj 19 dhe 22 vjeçarit është vënë në fuqi, për 6 persona të tjerë procedura është në vijim e sipër. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin e personave tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në turmë. Policia ka njoftuar se ka arrestuar 8 persona ndaj të cilëve ka parashtruar kallëzime penale.
Ahmeti: Të mos keqpërdoren hallexhinjtë
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i pyetur për protestën e së premtes ka deklaruar se nuk është mirë që të keqpërdoren njerëz që janë në vështirësi.
“E mira është mos të keqpërdoren hallexhinjtë, mos të keqpërdoren njerëzit në vështirësi. Ne kemi pasur lidhje dhe komunikim direkt me këta njerëz që kanë halle dhe kanë probleme. Jemi përpjekur t’i vëmë në kontakt me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe për të gjitha këto çështjet ne kemi kërkuar edhe ekspertizë ndërkombëtare edhe monitorim të drejtpërdrejt ndërkombëtar në këtë drejtim. Nga zonja Nullan që ka qenë zëvendëssekretare e shtetit. Kemi kërkuar që drejtpërsëdrejti të angazhohen ekspertët të fushës së drejtësisë. Përgjigja ka qenë nga autoritetet amerikane dhe ato evropiane se ne i besojmë Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim Evropian, ne kemi ekspertët tonë në të gjitha këto procese dhe do të pritet epilogu gjyqësor. E kemi futur edhe në marrëveshje me partnerët e koalicionit që të rishqyrtohen këto raste. Ky rast është rishqyrtuar, ka marrë këtë epilog.”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa akuzojnë Qeverinë për provokimin e dhunës në protestën e së premtes kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra”. Ndërsa VMRO-DPMNE i dënon të gjitha format e dhunës, duke akuzuar kryeministrin Zaev për nxitje të tensionin etnik midis qytetarëve.
SANIJE DURAKU
