Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, të pësojë ndryshime
Diskriminimi është temë aktuale e trajtuar jo vetëm në dokumente të shumta vendore, por edhe ato ndërkombëtare........

Politika antidiskriminuese është detyrë e shtetit, megjithatë Maqedonia në këtë drejtim duket se nuk është efikase.
Instituti për të Drejtat e Njeriut ka realizuar një analizë për mangësitë e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila nxjerr në pah se ky ligj nuk siguron në tërësi realizim efikas dhe efektiv, si dhe nuk mbron të drejtën e barazisë.
“Është i nevojshëm përmirësimi i përmbajtjes dhe zgjidhjeve ligjore. Standardet ndërkombëtare duhet të harmonizohen me Kushtetutën e Maqedonisë dhe me ligjet e tjera”- deklaroi kryetarja e Instituti për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca–Nikollovska.
Përveç mangësive në tekstin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, nga Avokati i Popullit thonë se nevojitet ndërgjegjësimi i Maqedonisë për domethënien e të drejtës antidiskriminuese dhe të drejtat e njeriut.
“Avokati i Popullit thekson se ndihet nevoja e futjes së institutit të segregacionit si një sistem i masave dhe procedurave represive me të cilat ndalohet, promovohet ose pengohet përzierja e personave të cilët perceptohen pjesëtarë të grupeve të ndryshme etnike, religjioze ose kulturore”- tha një përfaqësues i Avokatit të Popullit.
Të gjitha palët pjesëmarrëse në përgatitjen e analizës së Institutit për të Drejtat e Njeriut janë pajtuar se nevojiten ndryshime dhe plotësime të ligjit.
Nga institucioni Avokat i Popullit, sugjeruan që analiza e mangësive në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi të dërgohet te të gjitha institucionet kompetente dhe më pas të punohet në eliminimin e të njëjtave. (Sanije Kasami, TVM2)
