Botë
Kriza në Jemen, donatorët japin shumë pak ndihma
02.03.2021 09:46
Kombet e Bashkuara thanë se 1.7 miliard dollarët e premtuar nga donatorët ndërkombëtarë për të ndihmuar Jemenin...

Kombet e Bashkuara thanë se 1.7 miliard dollarët e premtuar nga donatorët ndërkombëtarë për të ndihmuar Jemenin, nuk do të jenë të mjaftueshëm për të evituar urinë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Në një konferencë të mbajtur virtualisht, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për 3.85 miliardë dollarë për financimin e programeve në Jemen, këtë vit. Por, shifra e premtuar ishte më pak se ajo që OKB-ja mori vitin e kaluar.
Kombet e Bashkuara thonë se rreth 16 milionë jemenas – më shumë se gjysma e popullsisë – kanë mungesa ushqimesh. Nga ta, 5 milionë janë në prag të urisë. Jemeni është zhytur në luftë civile qysh në vitin 2015. Mbi 130,000 njerëz janë vrarë dhe mbi tre milionë janë zhvendosur. Konflikti zhvillohet ndërmjet grupit rebel Huthi, i cili mbështetet nga Irani, dhe Qeverisë së mbështetur nga sauditët. Bisedimet për paqe midis palëve luftuese kanë dështuar t’i japin fund konfliktit.
