Botë

577 vjet nga Besëlidhja e Lezhës

02.03.2021 10:46

Mbushen sot 577 vjet nga i Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Princërve Shqiptarë...

Mbushen sot 577 vjet nga i Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Princërve Shqiptarë, të cilët dëshironin të shkëputeshin nga lidhja me Perandorinë Osmane.
 
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, nën organizimin e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut.
 
Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave për rimëkëmbjen e Mbretërisë së Arbrit. Kjo Besëlidhje mori disa vendime, krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
 
Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.
 
Besëlidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të vetëm.
 
Princërit që morën pjesë ishin Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjerë në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që më këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan.