Maqedoni
Ndërhyrja e shërbimeve bullgare në RMV, Pendarovski: Kundër procedurave të NATO-s
02.03.2021 14:53
Jashtë procedurave të NATO-s dhe në kundërshtim me Marrëveshjen maqedono – bullgare...

Jashtë procedurave të NATO-s dhe në kundërshtim me Marrëveshjen maqedono – bullgare, e cilëson presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, veprimin e presidentin bullgar, Rumen Radev, i cili në një takim me shefat e shërbimeve sekrete ka kërkuar të ndërmerren masa për mbrojtjen e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Në reagimin e kabinetit të Pendarovskit gjithashtu thuhet se në presidencë as që janë paraqitur shkelje të të drejtave për shkak të përkatësisë etnike.
“Skajshmërisht e pazakontë dhe jashtë procedurave të brendshme të Aleancës është që një president shteti - anëtar i NATO-s, të thërrasë shërbimet e sigurisë dhe të bisedojnë për shkelje të të drejtave të qytetarëve në shtet tjetër, anëtarë i NATO-s. Deri më tani presidenti Pendarovski s’ka marrë kurrfarë informacioni për shkelje të të drejtave të qytetarëve të vendit, vetëm se kanë deklaruar përkatësinë etnike”,- thuhet në reagimin e kabinetit të presidentit Pendarovski.
Zaev: Kundër Marrëveshjes për Fqinjësi së Mirë
Ka reaguar edhe kryeministri, Zoran Zaev, duke porositur Bullgarinë se nuk ka nevojë për dërgimin e shërbimeve sekrete që të vërtetohen të drejtat e qytetarëve, pasi ndërhyrja në shtet të huaj është në kundërshtim me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë.
“Është e patolerueshme ndërhyrja e shtetit të huaj në shtet të huaj. Ne këtë e kemi deklaruar në Marrëveshjen e fqinjësisë me Bullgarinë. Jo vetëm kaq, në bisedime shkojmë edhe më tej në mos përzierje në pakicat, pasi që të gjitha të drejtat zgjidhen nëpërmjet gjykatën e Këshillit të Europës. Por përfundimisht nuk ka nevojë për gjykata pasi që cilido qytetar, nëse i është shkurtuar ndonjë e drejtë, ne si institucione jemi në dispozicion.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaharieva: S’pranojmë mohimin e vetëpërcaktimit
Sipas ministres për punë të jashtme, Ekaterina Zaharieva, është e papranueshme që Maqedonia të mos pranojë të drejtën e vetëpërcaktimit.
“Mbi 100 mijë qytetarë kanë edhe shtetësi bullgare dhe ndonjëherë janë të frikësuar. E papranueshme është që në shekullin 21 të mos pranohet e drejta e vetëpërcaktimit”,- ka deklaruar Zaharieva.
Zaharieva ka kërkuar drejtësi për bullgarët në Maqedoni duke theksuar se politika bullgare është e qëndrueshme në përmbushjen e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë në krahasim me politikat e Maqedonisë së Veriut, pas anëtarësimit në NATO.
MERAL ISMAILI
