Në Çair, atmosferë festive për festat e nëntorit

21.11.2014 16:32

Prej disa ditësh, në komunat shqiptare, përfshirë edhe Komunën e Çairit në Shkup, ndjehet atmosferë festive për festat kombëtare të nëntorit.......

Shkupi, përkatësisht Komuna e Çairit dhe komunat e tjera shqiptare, prej disa ditësh janë stolisur kuq e zi, në pritje të festave kombëtare, “Ditës së alfabetit” dhe “Pavarsisë së Shtetit shqiptar”.

Festat e nëntorit do të shënohen edhe në qytetete tjera të vendit ku jetojnë shqiptarët, me aktivitete dhe manifestime të shumta.

Edhe kësaj radhe, komuna është kujdesur që festat e nëntorit të shënohen në mënyrë dinjitoze, deklaroi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

“Edhe ky nëntor do të shënohet në mënyrë dinjitoze nga Komuna e Çairit, ka filluar zbukurimi i Komunës së Çairit nëpër rrugët kryesore dhe prej nesër fillojnë aktivitetet e fushave të ndryshme dhe prej nesër do të kemi 60 piktorë nga mbarë trevat kombëtare, që do ta pikturojnë Shkupin në pëlhurë dhe mandej ato piktura do të ekspozohen”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.       

Atmosferën festive e ndjejnë edhe qytetarët, të cilët mirpresin stolisjen e rrugëve me flamuj kombëtarë.      

“Së pari ua uroj gjithë shqiptarëve “Ditën e flamurit”. Rrugët janë zbukuruar, falënderoj komunën dhe të gjithë popullatën shqiptare, të punojmë më shumë, të jetojmë më mirë, të kemi bashkëpunim”- theksoi një qytetar.

“Shumë bukur janë të stolisura, shpresoj që edhe më tutje të jetë kështu”- tha një qytetar.

“Më pëlqejnë rrugët kështu si janë stolisur, kuq e zi, me rastin e festës së 28 nëntorit”- potencoi një qytetar.

“Po, patjetër, pse jo, ajo është festa jona dhe jam shumë mirë, shumë i lumtur. Mendoj se do të shkojmë ta festojmë në Kosovë”- u shpreh një qytetar.

“Shumë mirë, me kënaqësi ma të madhe po e presim atë ditë. Rruga sigurisht është zbukuruar me flamuj, ndoshta edhe më tepër na bën ta ndjejmë atë ditë”- tha një qytetar.      

Ndryshe, me rastin e 22 nëntorit, “Ditës së alfabetit shqip”, janë paraparë një sërë aktivitetesh, në të cilat janë përfshirë Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, komunat shqiptare dhe Muzeu i Alfabetit,  ndërsa manifestimi qendror do të mbahet pikërisht në qytetin e alfabetit, në Manastir. Po ashtu, nesër është ditë jopune për shqiptarët në Maqedoni. (Gyltene Sinani, TVM2)