Lajçak: Marrëveshja varet nga vullneti i palëve
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi...

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse mes dy vendeve të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Ai këtë e deklaroi në Prishtinë pas takimit me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.
Sa i përket asaj se sa shpejt mund të arrihet marrëveshja, Lajçak tha se procesi i dialogut varet nga gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë.
“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen na baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve.”,- deklaroi përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Osmani: Dialogu me Serbinë duhet të rishikohet
Nga ana tjetër presidentja Osmani tha se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rishikohet, dhe ai duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë aktual.
“Për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim, që do të ndihmojë republika e Kosova të jetë e përgatitur dhe mbi të gjitha tër espektojë interesat e veta interesat e qytetarëve të Kosovës në një proces i cili të rezultojnë me njohje reciproke në kufijtë aktualë dhe me kushtetutën aktuale të Kosovës.”,- u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Qëndrim të njëjtë në takimin me Lajçak ka mbajtur edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i ri pas fitores së zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Kurti ka thënë se dialogu është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. Lajçak, pasi ka takuar edhe krerët e partive tjera politike përfundoi vizitën e tij në Kosovë për të udhëtuar drejt Serbisë. (Gyltene Sinani, TVM2)
