Maqedoni
Regjistrimi i diasporës, brenda një dite 10 mijë të regjistruar
02.03.2021 15:48
Deri në ora 8 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar mbi 10 mijë persona nga diaspora...

Deri në ora 8 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar mbi 10 mijë persona nga diaspora, ndërsa sistemi për regjistrim është funksional, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikës. Fillim ka pasur disa pengesa, por ato janë eliminuar dhe gjithçka po shkon në rregull, thonë nga Enti i Regjistrimit, prej ku paralajmërojnë se kushdo që keqpërdor dhe gënjen sistemin, duke paraqitur të dhëna të rrejshme, do të përballet me pasoja penale.
“Sipas nenit 9 të Ligjit për Regjistrim, kushdo që shkatërron, fsheh, dëmton ose i bën të papërdorshme të dhënat e futura në aplikacionin e regjistrimit, do të dënohet me burgim të paktën tre vjet.”,- thuhet në komunikatën e ESHS-së.
Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, thotë se institucionet e kanë në kontroll procesin e regjistrimit dhe nuk do të ketë kurrfarë parregullsish.
“Shteti në çdo moment vetëm me një klik mund të shohë cilët qytetarë janë jorezidentë, gjegjësisht se a janë prezentë më shumë se një vit. Të gjithë qytetarët e tjerë edhe nëse janë në pyetje 11 muaj, janë residentë dhe ata regjistrohen edhe pse në këtë moment regjistrohet jashtë. Ja pra dy muaj mund të jetë jashtë dhe sipas EUROSTAT-it dhe standardeve ndërkombëtare ai është residentë, pra nuk hyn në kategorinë e diasporës. Vetë krahasimi i data bazave i jep detajet.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE-ja opozitare dyshon se jofunksionaliteti i sistemit të regjistrimit të diasporës është tregues se regjistrimi nuk është i besueshëm.
“Nuk është faji i qytetarëve por i kryetarit të Entit Shtetëror për Statistikë, që ka harxhuar para shtetërore për një sistem joefikas i cili nuk do të japë rezultate të besueshme dhe përgjegjësi penale për një sistem të tillë jofunksional, duhet të bartë personalisht kryetari i Entit Shtetëror për Statistikë. Kjo është edhe një tregues se regjistrimi është shumë i dyshimtë dhe të dhënat nuk do të jenë të besueshme.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se janë të interesuar për një proces kredibil dhe të besueshëm dhe ftojnë diasporën që të shfrytëzojnë mundësinë për regjistrim.
“Ftojmë diasporën që të shfrytëzojnë mundësinë për regjistrimin online që ka filluar dje dhe do të zgjasë deri në ditën e përfundimit të regjistrimit me 21 prill. Mendojmë se regjistrimi i diasporës është shumë i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm. E vërtetë është se do të munden të regjistrohen edhe nga ana e familjarëve të tyre në vendlindje, por pse t’i lihet rastësisë. Teknologjia mundëson një gjë të tillë dhe le të shfrytëzohet kjo mundësi. Ftojmë rrjetin diplomatik që tërësisht me kapacitetin e tij të vihet në shërbim të regjistrimit në përgjithësi, me qëllim realizimin e suksesshëm të regjistrimit.”,- tha deputeti, Halil Snopçe.
Edhe BDI dhe partitë tjera shqiptare kanë apeluar te diaspora që të regjistrohet. Ndërsa regjistrimi në vend do të realizohet nga 1 deri më 21 prill.
SANIJE DURAKU
