Komisioni për Sistem Politik, u shqyrtua vetëm raporti vjetor i një institucioni
Komisioni për Sistem Politik...

Komisioni për Sistem Politik arriti të dëgjojë vetëm raportin vjetor të punës së Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2019, por jo edhe raportet vjetore të punës së prokurorive publike, këshillit të prokurorëve publik dhe komisionit anti-korrupsion.
Punimet e komisionit u ndërprenë për të vazhduar në orët e pasdites, por që nuk vazhduan pas atmosferës së brishtë në kuvend për mungesë kuorumi në mbajtjen e seancave plenare por edhe mbledhje të komisioneve. Përfaqësuesi i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në elaborimin e tij njoftoi se ka pasur 190 mbikëqyrje për keqpërdorime eventuale si dhe 12 procedura penale.
“I madh është numri I ankesave, 356 gjithsej gjatë 2019-ës. 60% e tyre kanë të bëjnë me rrjetet sociale. Dua të theksoj se me ekipin e facebook-ut të angazhuar për Europë me seli në Dublin, kemi krijuar lidhje direkte për të reaguar brenda 24 orëve kur do të ketë keqpërdorime në këtë rrjet social.”,- deklaroi përfaqësuesi i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Igor Kuzeski.
Raporti pa u komentuar nga anëtarët e komisionit u dorëzua për shqyrtim në seancë plenare. Raportet e institucioneve të tjera shtetërore mbeten për t’u shqyrtuar të mërkurën. (Meral Ismaili, TVM2)
