Testimi pilot PIRLS, nxënësit interesim të ulët

02.03.2021 18:52

Pak nxënës të klasave të katërta iu përgjigjën ftesës....

Pak nxënës të klasave të katërta iu përgjigjën ftesës për t’iu nënshtruar testimit pilot PIRLS, i cili në muajin maj pritet t’i përfshijë 3700 nxënës. Besa Sulejmani - koordinatore e realizimit të këtij testimi në shkollën Fillore "Jashar Bej Shkupi" në një prononcim për TVM2 thekson se për shkak të mësimit online që është zhvilluar për gjatë periudhës së kaluar shumë pak nxënës i janë përgjigjur ftesës për t’iu nënshtruar me prezencë fizike pilot testimit ndërkombëtarë PIRLS.

Ajo thekson se prindërit janë njoftuar me kohë por se këta të fundit kanë vendosur që të mos i përgjigjen këtij testimi.

“Prej klasës time që testohet nga 22 nxënës, marrin pjesë vetëm 6 nxënës. Prej klasës tjetër nga 11 vetëm 4 nxënës dhe në paralelen maqedonase vetëm 3 nxënës. Në mbledhjen me prindërit që kemi mbajtur, ata dhanë një vendim që pasi nxënësit punojnë online nuk mund t’i nënshtrohen testimit me prezencë fizike. Unë nuk kam insistuar, vetëm u kam treguar se çka është ky testim, pra në atë mënyrë që mos ketë frikë fëmija por sërish është prindi ai që vendos.”,- deklaroi koordinatorja për zbatimin e testimit, Besa Sulejmani.

Nëse ky testim mund të dështojë për shkak të pandemisë, nga Ministria e Arsimit nuk dhanë përgjigje të qartë. Nga MASh thonë se testimi që ka nisur këto ditë është pilot testim i cili i paraprin testimit të përgjithshëm në muajin maj.

“Realizimi i pilot-testit PIRLS ka për qëllim që nxënësit dhe mësimdhënësit të njihen me testet dhe mënyrën e kryerjes së tyre, në përputhje me udhëzimet e ONE - Organizata Ndërkombëtare e Vlerësimit. Ndërsa testimi kryesor në vendin tonë dhe në të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse, të cilat janë pjesë e këtij testimi ndërkombëtar, do të kryhet gjatë muajit maj, ku do të marrinë pjesë 3700 nxënës nga 150 shkolla.”,- u tha nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Studimi ndërkombëtar PIRLS kontrollon aftësinë e nxënësve të moshës 9-10 vjeç për të lexuar me kuptim, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë në testim së bashku me rreth 50 vende nga e gjithë bota. Prej tij fitohen rezultate për atë se si mjedisi kulturor, praktika mësimore, qëllimet e programeve mësimore dhe rregullimi sistematik i arsimit ndikojnë në arritjet e nxënësve. (Zekirja Mexhiti, TVM2)