Dekani: Diploma e ministrit Ademi është origjinale
Lajmi i liferuar ditë më parë në disa media dhe portale, i cili vuri në dyshim vërtetësinë e diplomës universitare të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademit, është përgënjeshtruar sot edhe nga vetë ministri Ademi.....

Ai hedh poshtë si të paqena dhe krejtësisht shpifje dhe fabrikime shkrimet që hedhin dyshim mbi vërtetësinë e diplomës së tij.
Madje, ministri Ademi u sugjeron gazetarëve që për këtë çështje të drejtohen te Universiteti Politeknik i Tiranes.
“Nuk e kam parim të komentoj tekstet e ashtuquajtura të shtypit të verdhë, por për ta shuar kureshtjen tuaj si gazetarë, do t’iu kisha lutur të drejtoheni në Universitetin Politeknik të Tiranes dhe të interesoheni a ka të diplomuar student me emrin Abdylaqim Ademi në korrik të vitit 1996”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
TVM-2 iu drejtua me pyetje universitetit Politeknik të Tiranës dhe mori përgjigje se diploma e ministrit Ademi është origjinale, këtë e pohon edhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, Andonaq Londo.
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, studimet universitare i ka filluar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, drejtimi metalurgji, në qytetin e minatorëve në Mitrovicë dhe pas dy vitesh studime atje, për shkak të masave të dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës, ka qenë i detyruar që studimet t’i vazhdojë në Universitetin Politeknik në Tiranë, ku në korrik të vitit 1996 ka diplomuar dhe ka marrë titullin “Inxhinier i diplomuar i metalurgjisë”. (Merita Gashi, TVM2)
