Ademi: Provimi nuk do të vlejë për studentët aktual
Provimi shtetëror për studentët do të mbahet, por ai nuk do të vlejë për studentët aktual, por për studentët e gjeneratave të ardhshme.......

Kështu ka deklaruar sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, i cili ka shtuar se janë nga fundi me konceptimin se si do të dukej propozimi i ministrisë për provimin shtetëror, duke u bazuar edhe në debatet e zhvilluara për këtë çështje.
“Qëllimi kryesor, ashtu siç e kemi thënë, është ngritja e cilësisë dhe ajo do të jetë e bazuar në disa parime, e para, që nuk do të cenohet dhe rrezikohet autonomia e universiteteve, e dyta, nuk do të cenohet dhe rrezikohet procesi i Bolonjës, pastaj provimi shtetëror nuk do të ketë efekt retroaktiv, pra nuk do të vlejë për studentët aktual, por nëse hyn ligji në fuqi, do të vlejë për studentët e ardhshëm akademik dhe nuk do të jetë mundësia e kufizuar për të hyrë në të njëjtin provim derisa studenti nuk e jep primivin e njëjtë, sepse konsiderojmë që ky provim ose ky mekanizëm nuk duhet të jetë shtesë ose ngarkesë edhe për studentin edhe për universitetet”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi, ka deklaruar se MASH-i punon edhe në ndryshimin e Ligjit për Tekstet Shkollore dhe mundësinë që nxënësit shqiptarë në Maqedoni të mësojnë me abetaren e unifikuar shqiptare.
“Për momentin në Maqedoni, Ligji për Tekstet Shkollore është që për një lëndë mësimore të mësohet nga një tekst unik dhe për momentin kjo është pengesa kryesore. Jemi duke punuar që Ligji për Tekste Shkollore të ndryshohet dhe veçanërisht të përmirësohen tekstet kontroverse për disa lëndë mësimore për nxënësit shqiptarë dhe të tjerët. Besoj se me ndryshimin e ligjit do të krijohen edhe baza juridike jo vetëm për përmirësimin e teksteve, por edhe për të pasur një, ashtu siç quhet, abetare unike për shqiptarët kudo që jetojnë”- tha Ademi.
Ademi, ka shtuar se resori i tij punon vazhdimisht në krijimin e barabartë të kushteve për nxënësit e të gjitha shkollave. (Mefail Ismaili, TVM2)
