CEFTA: Vendime për zgjidhjen e barrierave të tregtisë
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri pranoi vendimet për zgjidhjen e barrierave të caktuara, të cilat janë sugjeruar në takimin e sotëm......

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në Komitetin e tetë të përbashkët të CEFTA-s, ku ishin të pranishëm ministra dhe përfaqësues të autorizuar nga palët e CEFTA-s, theksoi përkushtimin për thellimin e zbatimit të Marrëveshjes së CEFTA-s, si një bazë solide ligjore për liberalizimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, lehtësimin e tregtisë dhe thjeshtëzimin e procedurave, eliminimin e barrierave jotarifore të tregtisë, rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në politikat dhe promovimin e investimeve.
Në këtë takim, ministri i Ekonomisë pranoi vendimet për zgjidhjen e barrierave të caktuara, të cilat janë sugjeruar në takimin e sotëm.
“Maqedonia ka pengesa për të eksportuar ilaçe në Shqipëri dhe për të eksportuar verë në Serbi. Takimi solli si përfundim se Republika e Shqipërisë në të ardhmen të rishikojë mundësitë për ndryshimin e Ligjit për Shëndetësinë, në pjesën që rregullon importin e ilaçeve, i cili thotë se ilaçet e importuara të jenë të regjistruara në vendin ku ato janë prodhuar dhe në një shtet të Bashkimit Evropian. Kërkova nga Shqipëria që të tërheq pengesën për Maqedoninë, që të mundemi të eksportojmë barëra lirshëm”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Ministri Neziri, gjithashtu informoi se Serbia është pajtuar dhe në nivelin më të lartë të mundshëm do të diskutojë problemin me importin e verës nga Maqedonia.
“Morëm përfundim që këtë çështje ta diskutojmë në takimin e përbashkët të qeverive, të Republikës së Maqedonisë dhe Serbisë, që do të mbahet nga data 22 deri më 24 dhjetor. Unë pres që deri në fund të këtij viti, ose në gjysmën e parë të vitit 2015, të eliminojmë dy barrierat për eksportin e prodhimeve të Maqedonisë në Shqipëri dhe Serbi, në kuadër të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s”- tha Neziri.
Në këtë takim, përfaqësuesit u pajtuan për të formuar një grup pune për shkëmbimin elektronik të informacionit, komitetit për lehtësimin e tregtisë dhe nënkomitetin mbi tregtinë dhe shërbimet. Prej vitit të ardhshëm, kryesuese e CEFTA-s do të jetë Moldavia. (Besim Abdullahu, TVM2)
