Maqedoni

"Liria në botë 2020", “Freedom House”: 66 pikë, RMV vend pjesërisht i lirë

03.03.2021 13:48

Maqedonia e Veriut vazhdon të luftojë korrupsionin, mediat dhe shoqëria civile...

Maqedonia e Veriut vazhdon të luftojë korrupsionin, mediat dhe shoqëria civile janë të përfshira në diskursin publik intensiv,por  gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe frikësim. Kështu e shikon vendin tonë organizata ndërkombëtare, Freedom House, në raportin e fundit për lirinë në botë. Ky vlerësim me 66 pikë nga 100 të mundshme, e radhit  Maqedoninë e Veriut ndër vendet pjesërisht të lira, me 3 pikë më shumë se një vit më parë. Të njejtin vlerësim morën edhe Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Hungaria. 

Në shumicën e segmenteve, siç janë transparenca, liria e shprehjes dhe korrupsioni, Maqedonia e Veriut mori të njejtat vlerësime si ato të vitit të kaluar. Përparim ka në organizimin e zgjedhjeve dhe formimin e qeverisë ku ka përparim për një pikë. Në raport  janë theksuar edhe pengesat e reduktuara në punën e parlamentit që i kanë dhënë vendin sivjet 3 pikë nga 4 të mundshmet, që gjithsesi është një më shumë se vitin ekaluar. Potencohen ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike që u pasuan nga polemikat mbi ndryshimet në dispozitat ligjore në minutën e fundit. 
 
Korrupsioni mbetet problem serioz, vazhdon mosndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar të qeverisë, përfshirë anëtarët e parlamentit dhe gjyqësorit. Mbeten shqetësimet në lidhje me efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, i cili vlerësohet me 2 pikë dhe potencohet se jo të gjitha reformat e premtuara në gjyqësor, janë zbatuar dhe vazhduan skandalet serioze të korrupsionit dhe prokurimit publik.
 
Liria e medias vlerësohet me 3 pikë. Gazetarët vazhdojnë të jenë  të ekspozuar ndaj presionit dhe ngacmimit politik dhe ka ende raporte për sulme fizike ndaj tyre. Media është e polarizuar thellësisht politikisht dhe përmbajtja e mediave private ndikohet fuqimisht nga interesat politike ose të biznesit, potencohet në raport.
 
Për sa i përket të drejtave të njeriut, diskriminimit dhe mbrojtjes nga ngacmimet seksuale, problemi ende ekziston edhe  përkundër legjislacionit ekzistues. 
 
Në periudhën nga viti 2017 deri më sot, Maqedonia e Veriut është përmirësuar me 9 pikë në listën e Freedom House. Raporti tregon  një hendek në rritje në demokraci në të gjithë botën. 
 
ERSAN PAJAZITI