Maqedoni
"Kthjellohu!", masa urgjente për mbrojtjen e burimeve ujore
03.03.2021 14:20
Vetëm rreth 3-4 % e sasisë totale të ujërave të ndotura nga minierat dhe industria trajtohen në vendin tonë...

Vetëm rreth 3-4 % e sasisë totale të ujërave të ndotura nga minierat dhe industria trajtohen në vendin tonë. Shumica e ujit të patrajtuar shkarkohet direkt në tokë, lumenj, rezervuarë, liqene dhe kanalizime publike. Cilësia e ujit që pijmë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Duhen marrë masa urgjente afatgjata, u tha në kuadër të konferencës virtuele të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Komunikimit, të cilët nisën edhe zyrtarisht fushatën "Kthellohu!", pjesë e së cilës është edhe TVM.
"Nuk dihet se me çfarë sasie uji nëntokësor dhe mbitokësor disponojmë, nuk e dimë saktë se sa ujë harxhojmë, dhe pa këto të dhëna të sakta, është vështirë të sillen politika afatgjata e të qëndrueshme. Në këto rrethana, marrja e përgjegjësive është një përjashtim që vërteton rregullin se shkelësit e ligjit, shpesh nuk dënohen. Dhe çmimin e paguan natyra dhe ne, qytetarët. Nëse nuk marrim masa afatgjata për mbrojtjen e burimeve ujore mund ti humbasim të njejtat në mënyrë të pakthyeshme.", tha presidenti Stevo Pendarovski.
"Ne sivjet krijuam agjencinë për ambient jetësor, që do të kontrollojë edhe cilësinë e ujit. Por për fat të keq kjo nuk do të ndodhë shpejt. Kemi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë e ne do të drejtojmë politikat në këtë drejtim por në këtë fushë duhet të përfshihen ekspertët.", tha Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor.
"Pjesa më e madhe e popullatës në zonat rurale, ka nevojë për ujë të pastër për pije. Cilësia e ujit varet nga ndërtimi I hidrocentraleve. Kjo ka ndodhur mes viteve 2015-2017, dhe ka ndikuar në cilësinë e ujrave të lumenjve. Edhe në zonat urbane, uji duhet të kontrollohet cdo ditë. Ndikimin më të madh në cilësinë eujit, e ka industria, bujqësia dhe burimet prej nga furnizohemi.", tha Rachel Galloway, ambasadore e Britanisë së Madhe në RMV.
