Obama: Urdhër për ndryshime në sistemin e imigracionit
Rreth 5 milionë emigrantë, që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund t’i shpëtojnë deportimit, pasi presidenti Obama njoftoi për ndryshime rrënjësore në politikat amerikane të imigracionit.......

Në një fjalim televiziv, presidenti Obama shpalosi planin e tij, duke anashkaluar kongresin. Ai tha se ajo që po propozon nuk ofron amnisti masive dhe nuk lejon deportime në masë.
“Në qoftë se ju i plotësoni kriteret, ju mund të fitoni të drejtën me ligj. Nëse ju jeni një kriminel, atëherë do të dëboheni. Gjithashtu emigrantët pa dokumente, që ndodhen në SHBA prej të paktën 5 vjetësh dhe kanë fëmijë me shtetësi amerikane, ose me dokumente të rregullta, nuk do të deportohen”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.
Këta emigrantë duhet të kalojnë kontrollin e biografisë, për të vërtetuar se nuk kanë pasur probleme me ligjin dhe të jenë të gatshëm të paguajnë taksa.
“Kjo është tërësisht në përputhje me veprimet e mëparshme të presidentëve, të cilët kanë ushtruar autoritetin e tyre ekzekutiv”- tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Urdhri ekzekutiv për emigracionin revoltoi republikanët, të cilët u shprehën se veprimi është përtej autoritetit të presidentit dhe do të cenojë ndjeshëm marrëdhëniet me të.
Senati amerikan e aprovoi në 2013-tën paketën e reformave në emigracion, por Dhoma e Përfaqësuesve nuk e dha “dritën jeshile”. Republikanët kërkojnë bashkëpunim dhe siç tha kryetari i Dhomës së Ulët, John Boehner, do të luftojnë “dhëmb për dhëmb” me presidentin nëse ai vazhdon ta ndjek rrugën e nisur. Për kritikët, reforma do të kishte kosto shumë të lartë edhe pse mjaft ekspertë besojnë se ajo do ta zgjeronte ekonominë amerikane.
Presioni i presidentit për reforma në politikat e emigracionit filloi vitin e kaluar, menjëherë pas kapërcimit të frikës për një krizë të re financiare dhe rihapjes së qeverisë. (Valbon Bexheti, TVM2)
