Maqedoni

Covid 19, Kina ia kthen paradhënien për vaksinat MV-së

03.03.2021 16:22

Kina i ka kthyer paradhënien që Maqedonia e Veriut i ka dhënë për të siguruar 200.000 doza....

Kina i ka kthyer paradhënien që Maqedonia e Veriut i ka dhënë për të siguruar 200.000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të cilat do të duhej të arrinin në fund të muajit shkurt. Nga Ambasadën kineze në Shkup kanë thënë se “Kina është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë”.
 
“Maqedonia e Veriut vendosi të furnizohet me vaksina nga Kina dhe me këtë dëshmoi se ka besim në Kinën. Kina i jep rëndësi të madhe nevojës që Maqedonia e Veriut të sigurojë vaksina dhe i mbështet kompanitë relevante që të komunikojnë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për furnizim me vaksina.”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kinës në Shkup.
 
Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thonë se pavarësisht se kompania Sinopharm ka kthyer mbrapsht paradhënien për vaksinat, marrëveshja me këtë kompani nuk është anuluar. Nga ky dikaster thonë se kjo gjë ka ndodhur me kërkesë të palës kineze, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit.
 
“Negociatat (me kompaninë kineze, Sinopharm) janë në fazën e fundit dhe mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë dhe vaksinat me të vërtetë do të arrijnë në vendin tonë për një kohë shumë të shkurtër.”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.
 
Maqedonia e Veriut, përveç se ka një marrëveshje për sigurimin e vaksinave të Pfizerit, po ashtu pret të marrë 800.000 doza të vaksinës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Ky program ka për qëllim që të shpërndajë vaksina në vende të varfra. Qeveria maqedonase po ashtu ka arritur edhe një marrëveshje për furnizim me vaksinën ruse, Sputnik V.
 
FARIJE DAUTI BAKIU