USHT, akademi solemne kushtuar alfabetit
Me rastin e 106 vjetorit të “Kongresit të Manastirit”, sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua akademi solemne kushtuar “Ditë së ABC-së”......

Rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti, e vlerësoi “Kongresin e Manastirit” si një ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore të shekullit të kaluar për mbarë popullin shqiptar. Ai tha se rrethanat e mbajtjes së “Kongresit të Manastirit” ishin po aq komplekse sa edhe rrethanat e krijimit të Universitetit të Tetovës.
“Rrethanat, në të cilat u themelua Universiteti i Tetovës, ishin po aq komplekse me rrethanat e mbajtjes së “Kongresit të Manastirit”. Pushteti i atëhershëm maqedonas ushtroi një represion të paparë policor ndaj themeltarëve të universitetit tonë, në krye me prof. dr. Fadil Sulejmanin, për të vetmen arsye, sepse shkollimi sipëror do të forconte identitetin shqiptar në Maqedoni dhe ashtu ndodhi. Universiteti ynë shpejt u bë vatra e dijes dhe e avancimit të çështjes sonë kombëtare, duke nxjerrë gjenerata të tëra mësuesish, profesorësh, juristësh, ekonomistësh, inxhinierësh dhe kështu me radhë”- deklaroi rektori i USHT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.
Profesori, Ejup Ajdini, theksoi se në 106 vjetorin e “Kongresit të Manastirit”, gjuha shqipe ka kaluar nëpër shumë sfida, por tanimë shumë të suksesshme.
Ndërsa historiani, Nebi Dervishi, vlerësoi vizionin dhe nivelin e lartë të delegatëve hartues të këtij alfabeti shqip.
“Atëherë e sot, plot një shekull e ca, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj kaloi një rrugë të lodhshme me mjaft sfida, por të suksesshme, që të gjithë ne na bënë krenarë. Ky alfabet i dha shqipes mundësinë që sot të bëhet gjuhë e artit, e shkencës, e kulturës, e radios, e shkollës, e filmit, e këngës, të bërit gjuhë zyrtare, gjuhë e universitetit, e parlamentit, e gazetave dhe e shumë institucioneve të tjera. Sot kemi një gjuhë shqipe standarde, me vlera të mëdha krijuese e komunikuese, që zgjoi interesim edhe tek shumë studiues të huaj”- tha prof.dr.Ejup Ajdini.
“”Kongresi i Manastirit”, duke qenë kuvend i dytë gjithëkombëtar pas Lidhjes së Prizrenit, ka dhënë një kontribut i drejtpërdrejt edhe në luftën politike çlirimtare të popullit shqiptar në formulimin e kërkesave të lëvizjes kombëtare, për njohjen zyrtare të kombësisë dhe të gjuhës shqipe, të bashkimit kombëtar për themelimin e shkollës kombëtare shqipe, për organizimin e bashkërendimin e veprimeve”- u shpreh prof.dr. Nebi Dervishi.
Njëherit, me vendim të Senatit të USHT-së, për nderë të “Ditës së ABC-së”, sfondin e diplomave të reja të Universitetit Shtetëror të Tetovës e madhështon shtëpia muze e “Kongresit të Manastirit”. (Miftar Emini, TVM2)
